Maqedoni

Qeveria miraton ndryshimet kushtetuese

18.07.2023 18:09

Qeveria ka miratuar tekstin e propozim-iniciativës për ndryshimet kushtetuese...

Qeveria ka miratuar tekstin e propozim-iniciativës për ndryshimet kushtetuese, i cili gjatë ditës së mërkurë pritet të dorëzohet në Kuvend, ku dhe do të fillojnë të rrjedhin afatet për ndryshimet kushtetuese.
 
Në afat prej 10 ditëve pas dorëzimit të amendamenteve duhet të thirret Komisioni Kushtetues me të cilën kryeson kryeparlamentari,Talat Xhaferi, ndërsa duhet të kalojnë më së paku 30 ditë që amendamentet për ndryshimet kushtetuese të jenë në seancë plenare dhe të diskutohen maksimum 10 ditë.
 
Nga Qeveria presin konstruktivitet nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara përmes deputetëve në Kuvend, ndërgjegje nga të gjithë deputetët dhe fokus në arritjen e konsensusit ndërpartiak në miratimin e amendamenteve kushtetuese si pjesë e kornizës së negociatave me Bashkimin Evropian.
 
Qeveria bën thirrje për arsye dhe ndërgjegjësim për momentin aktual në të cilin shteti ka mundësinë të shmangë izolimin e përsëritur për shumë vite dhe t’i realizojë përfundimisht perspektivat evropiane.
 
"Qeveria vlerëson se para qytetarëve dhe shtetit është një mundësi që nuk përsëritet për të konfirmuar rrugën evropiane, për të përshpejtuar integrimin evropian dhe për të arritur këtë synim evropian deri në vitin 2030. Qytetarët meritojnë të jenë qytetarë evropianë, të kenë një cilësi evropiane të jetës dhe një standard jetese evropiane, në një vend evropian dhe ai duhet të jetë vendlindja e tyre. Një vendim i tillë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mundësojë mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE-në deri në dhjetor të vitit 2023, hapjen e kapitujve në negociata, intensifikimin e reformave dhe anëtarësimin e shpejtë në BE.".
 
Ndërhyrjet i referohen shtimit të pjesëve të kombeve në Preambulë dhe nenet 49 dhe 78 të Kushtetutës. Ndryshimet Kushtetuese duhet t’i votojnë 81 deputetë. Propozimi për ndryshimin e Kushtetutës është përgatitur nga grupi punues i përbërë nga ekspertë, profesorë eminentë nga disa universitete të vendit, si dhe përfaqësues të partive politike, me mbështetjen unanime të përmbajtjes së tekstit.
 
FLORIJE KAMBERI