Botë

Zgjedhjet në AAK. Haradinaj: do ta ndryshojmë gjendjen e vendit

02.03.2015 12:39

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, ka vendosur të dielën në Kuvendin e Punës që më 21 mars të këtij viti të fillojë zgjedhjet brenda partisë...

Ramush Haradinaj tha se këto zgjedhje dhe ndryshimet në parti po bëhen për të ndryshuar gjendjen në vend, e cila, sipas tij, është rënduar shumë nga udhëheqësit aktual.

“Qytetari i Kosovës, votuesi, qoftë ai i PDK-së, LDK-së, i cilës do parti, sot nuk ndihet krenar, nuk jeton me dinjitet ashtu siç i kanë thënë dikur. Nuk e heton që është në mision të ri, nuk e heton që është në sloganin numër një “Ne mundemi”, por e heton se është i dorëzuar në mëshirën e fatit se çfarë do t’i ndodhë atij sot, nesër e ditëve që vijnë”- tha Haradinaj.

Sipas kreut të AAK-së, për të dalë nga kjo gjendje, politikanët duhet ta kuptojnë realitetin dhe të bëhen të sinqertë me qytetarët. Ai tha se aleanca është e vetëdijshme që i duhet kohë për t’i dalë ballë kësaj situate.

Në Kuvendin e saj të Punës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka miratuar disa ndryshime në statutin e partisë, përmes të cilave synohet menaxhimi më efikas dhe lehtësimi i procedurave zgjedhore brendapartiake.