Maqedoni

Debat publik për ligjin e medieve, përfaqësuesit e mediave dhanë propozimet e tyre

19.07.2023 14:24

Pasi është hartuar versioni final i Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizive, e të cilat tanimë janë dorëzuar në Parlament...

Pasi është hartuar versioni final i Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizive, e të cilat tanimë janë dorëzuar në Parlament, vërejtjet dhe sygjerimet e tyre i treguan edhe përfaqësuesit e mediave dhe organizatave të mediave, të cilët në prani të ministrit Aliu nxorën në sipërfaqe lëshimet, të cilat sipas mediave Ministria dhe Qeveria duhet t’i marrin për bazë. E në këtë ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, ishte i gatshëm që të gjitha këto sugjerime dhe kritika t’i dëgjojë, por caktoi edhe një debat të hapur, ku këto dallime pret që të tejkalohen. 
 
“Ideja është që t’i dëgjojmë të gjithë si kritikat, idetë me qëllim që të përmirësojmë këtë ligj. Ka këndvështrime të ndryshme se si të krijohet ky ligj dhe ideja është që ne t’i dëgjojmë të gjithë dhe përsëri të ulemi edhe njëherë me ekspertët dhe të gjithë këto vërejtje të merren parasysh. Unë pres që të gjithë të jenë të lumtur me këtë që do ta bëjmë si ligj, por nga ana tjetër nuk pres që të gjithëve të na plotësohen dëshirat që i kemi pasur.”, - deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu. 
 
Përfaqësuesit e mediave kanë dorëzuar 17 reagime në drejtim të Ministrisë së Shoqërisë Informatike për hartimin e ligjit në fjalë dhe presin që kjo të merret parasysh dhe ligji të ketë përmirësime në tekstin e tij.
 
“Asociacioni i gazetarëve të Maqedonisë do të dorëzojë propozim deri tek Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ku do të kërkojmë që paralelisht me ndryshimet në ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizive, kërkojmë ndryshime edhe në ligjin për mediat, në pjesën e rregullimit të internet portaleve, të cilat janë përfshirë me ligjin aktual, e të cilat do të mund të marrin trajtim si media të rregullta dhe me këtë të marrin pjesë në ndarjen e mjeteve shtetërore.”, - theksoi kryetarja e Shoqatës “Asociacioni i gazetarëve të Maqedonisë”, Ivona Talevska. 
 
Ndërsa, për kryetarin e Institutit për Media dhe Analizë, Petrit Saraqini, është diskutabile që këto mjete shtetërore t’i ndajnë anëtarët e Komisionit, që duhet të krijohet nga deputetët dhe jo persona zyrtarë nga rrafshi i mediave.
 
“Përbërja e Komisionit kështu siç është propozuar, është se aty do të jenë tre deputetë të pozitës dhe tre të opozitës, kjo e hapë rrezikun e bërjes së pazareve politike dhe ndikimit të politikës në mediat. Propozimi ynë është që ky trup i cili do të vendos për atë se si do të shpërndahen këto mjete, të jetë i përbëre prej njerëzve profesionist.”, - theksoi kryetari i Institutit për media dhe analizë, IMA, Petrit Saraqini.
 
Nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, po ashtu kanë pohuar se një luftë e ashpër do të bëhet edhe për piraterinë dhe qëllimi i shtetit është që të mbrohen interesat e mediave, sepse pa media të lira nuk ka demokraci në të gjithë shtetin. 
 
FITIM KRYEZIU