Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese në Kuvend, Kovaçevski: Debat konstruktiv dhe vendim pro-evropian

19.07.2023 14:46

Ndryshimet kushtetuese hyjnë në procedurë parlamentare....

Ndryshimet kushtetuese hyjnë në procedurë parlamentare. Tani deputetët do të duhet të vendosin dhe vetëm me dy të tretat e votave, bullgarët dhe pjesë të pesë popujve të tjerë do të mund të bëhen pjesë e kushtetutës. Kryeministri Dimitar Kovaçevski pret nga deputetët një debat konstruktiv, i cili do të kulmonte me vendim pozitiv sa i takon rrugëtimit evropian të vendit.
 
“Pritjet e mia janë se do të kemi debat të frytshëm dhe konstruktiv, si dhe konsensus mbi partiak për vazhdimin e integrimit evropian të shtetit. Nga ne dhe vendimet tona varet se në çfarë mënyre do të vazhdojmë rrugëtimin evropian. Konsideroj se bëhet fjalë për ndryshim të Kushtetutës që nuk prek asnjë çështje identitare, nuk kishte asnjë koment negativ as në media. Konsideroj se 120 deputetët do të kenë vizion dhe guxim të sjellin vendim që do të thotë integrim dhe ardhmëri evropiane.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Mickoski: S’do të mbështesim, komplikohet procesi integrues
 
VMRO-DPMNE s’do t’i mbështesë ndryshimet. Kryetari i partisë Hristijan Mickoski thotë se do të koordinohet me deputetët se si do të veprojnë përgjatë debatit parlamentar.
 
“Qeveria në mënyrë shtesë komplikon procesin me atë që definoi tekst të ndryshimeve kushtetuese, i cili jo vetëm që nuk është i pranueshëm, por është plotësisht i paarsyeshëm dhe si i tillë rrezikon pozicionet e Maqedonisë në kuadër të përparimit drejt BE-së. Tani do të doja të dëgjoja arsyetimin e Qeverisë se në cilën pjesë të konkluzioneve të Këshillit të Evropës, të kornizës negociuese dhe të protokollit përfshihet ky tekst i ndryshimeve kushtetuese.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Me hyrjen e propozimit në procedurë parlamentare, fillimisht do të debatojë Komisioni Kushtetues maksimum dhjetë ditë dhe më së voni një muaj në seancë plenare me dy të tretat e votave do të miratohet nevoja për ndryshimet kushtetuese. Ndërkohë, Qeveria do të ripërpilojë amendamentet me ndryshimet eventuale të propozuara nga deputetët. Për t’i votuar ndryshimet në fazën e tretë nevojiten së paku 80 vota. Në preambulë dhe në nenet  49 dhe 78 të kushtetutës, përpos bullgarëve do të përfshihen kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.
 
MERAL ISMAILI