Botë

BE-ja vlerëson punën e SPAK-ut, Hohmann: Drejtësia të garantojë rezultate si të BE-së

19.07.2023 15:39

Në mbledhjen e Këshillit të Integrimit, ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann...

Në mbledhjen e Këshillit të Integrimit, ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, vlerësoi punën e deritanishme të SPAK-ut dhe i bëri thirrje që vendimet t’i marrin pa pasur dyshime. Sipas saj, sistemi i drejtësisë duhet të garantojë rezultate si në vendet e BE-së.
 
“SPAK-u këtë vit ka dhënë rezultate, shoh raportet, një hetim tjetër. Kjo është e rëndësishme. Duhet të bindni qytetarët. Atyre që kanë ndikim tek gjyqësori, të garantojnë që të japë rezultatet më të larta të BE-së dhe mos të ketë dyshime apo pikëpyetje. Kjo është më e rëndësishmja. E di që Kuvendi ka një rol për të luajtur në këtë drejtim. Mbështetja për gjyqësorin, mbështetja e duhur për pajisjet, personelin.”, - deklaroi ambasadorja e BE-së, Tiranë, Christiane Hohmann. 
 
Ambasadorja thotë se duhet më shumë mbështetje për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke theksuar se KE ka gati një tjetër paketë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
 
"Niveli i fuqisë ekonomike të Shqipërisë nuk është në mesataren e BE-së. Von der Leyen ka propozuar paketë për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik. Kjo është një shtytje që duhet t’i japim. Kjo mbështetje lidhet me kushte, sepse nëse t’i do të marrësh fonde të BE-së duhet të plotësosh disa kushte.”, - theksoi ambasadorja e BE-së, Tiranë, Christiane Hohmann. 
 
Në Këshillin Kombëtar për Integrimin Evropian po diskutohet për procesin screening, ku nesër pritet të publikohet raporti dhe në muajin dhjetor pritet miratimi nga Këshilli Evropian.
 
LULJETA NDOKA