Maqedoni
Tatimi i solidaritetit, Mickoski: Nuk e ndihmon biznesin, por e rëndon
19.07.2023 16:01
Ndryshimet në ligjin për TVSh nuk do ta ndihmojnë biznesin, por do ta rëndojnë më tej...

Ndryshimet në ligjin për TVSh nuk do ta ndihmojnë biznesin, por do ta rëndojnë më tej, vlerëson kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, pas takimit me Lidhjen e Odave Ekonomike ku diskutuan në temën “Gjendja aktuale ekonomike dhe Tatimi i solidaritetit”. Mickoski tha se me tatimin e ashtuquajtur të solidaritetit rëndohen ata që janë të suksesshëm dhe ata që krijuan fitime në kushte krize.
“Opinioni duhet ta dijë se kjo është gjithçka, përveç se solidaritet, dhe nëse përpjekja e Qeverisë për t'u afruar qytetarëve duke taksuar ata që kanë fituar dhe pastaj ato para do të përfundojnë tek ata që u mungojnë, nuk është e saktë. Kjo është një gënjeshtër. Këto para do të përfundojnë në projekte të dyshimta dhe në tenderë të dakorduar në katër sy, në xhepa privatë, pra në një gropë që kjo qeveri kriminale dhe e paaftë krijon në buxhet.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
LOE: Ky tatim është joadekuat për bizneset
Edhe nga LOE nuk pajtohen me këtë lloj të tatimit. Sipas afaristëve, ky tatim është joadekuat, pasi kompanitë nuk mund të planifikojnë financat dhe mënyrën e tyre të punës.
“Nuk mundet të taksoni kompani që kanë qenë inovative, të cilat kanë marrë vendime cilësore në periudhë krize dhe tani ato që kanë qenë të suksesshëm, Ju ti taksoni. E dyta, keni kompani që me atë prag të 20%-it, çdo vit kanë profite të mëdha. Megjithatë nuk i përfshin ky tatim, pasi ato kompani vijnë te ai pragu prej 20%, kanë përfitime të mëdha, por nuk janë në listën e atyre kompanive që duhet ta paguajnë atë tatim apo konkretisht bankat.”, - theksoi nënkryetari i LOE-së, Goran Gjorgjievski.
Përndryshe, Ligji për Tatimin e Solidaritetit është dorëzuar në Kuvend, i cili kësaj radhe propozohet të futet në procedurë të shkurtuar. Nga taksa e njëhershme e solidaritetit, Qeveria parashikon të mbledhë rreth 76.4 milionë euro si të hyra të jashtëzakonshme buxhetore që do të përdoren për të përballuar pasojat e krizës energjetike dhe COVID-19.
ERSAN PAJAZITI
