Botë

Konflikti Rusi-Ukrainë, sulme drejt Kievit dhe Odessas

19.07.2023 17:07

Edhe një natë tmerruese për ukrainasit...

Edhe një natë tmerruese për ukrainasit. Objekte infrastrukturore në Odesa janë goditur nga raketat ruse, me ç’rast janë shkatërruar disa ndërtesa. Edhe Kievi është sulmuar me fluturake pa pilot, mbrojtja kundërajrore i ka zmbrapsur sulmet. Ndërkohë, në Krime janë evakuuar 2.000 persona për shkak të zjarrit në një terren stërvitës ushtarak. Autostrada që lidhë portin Kerç dhe qytetin Sevastopol është e mbyllur. Shërbimi inteligjent ukrainas e mori përsipër shpërthimin, i cili ndodhi disa ditë pas sulmit të urës së Krimesë. 
 
“Vendosa t’i evakuoj njerëzit prej katër vendbanimeve. Automjete të ndihmës së parë janë të pranishme në çdo vendbanim, përfshirë edhe në  qendrat për vendbanim të përkohshëm. Deri më tani nuk ka viktima.”, - deklaroi eprori i Krimesë, Sergej Aksjonov. 
 
Bota duhet t’i kufizojë marrëdhëniet tregtare me shtetin terrorist, thotë presidenti i Ukrainës, Zelensky. ShBA-të dhe Ukraina shqyrtojnë vazhdimin e marrëveshjes për eksport të grurit pa pjesëmarrje të Rusisë. 
 
“Nga ana jonë, ne po shqyrtojmë opsionet për aksione dhe marrëveshje për të ruajtur rolin global të Ukrainës si garantues i sigurisë ushqimore, aksesin tonë detar në tregun botëror dhe vendet e punës për ukrainasit në porte dhe industrinë bujqësore. Ne po luftojmë për sigurinë botërore dhe për fermerin tonë ukrainas.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky. 
 
Komuniteti ndërkombëtar i bën apel Rusisë që të mos përdorë ushqimin si armë dhe të tërheqë vendimin.
 
“Rusia vazhdon të përdorë ushqimin si armë, por tani goditja nuk është vetëm mbi popullin e Ukrainës. Furnizimi global i ushqimit dhe çmimet janë të ndikuara. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Rusisë të tërheqë vendimin e saj dhe të zbatojë menjëherë nismën e eksportit të grurit. Ne gjithashtu kërkojmë fundin e sulmeve ndaj infrastrukturës kritike për sigurinë globale të ushqimit.”, - u shpreh zëdhënësi i Departamentit të shtetit – ShBA, Metju Miller. 
 
Nga ana tjetër, Moska thotë se Kombet e Bashkuara kanë edhe tre muaj kohë për të arritur rezultate konkrete që Kremlini t'i kthehet diskutimit për këtë çështje.
 
BELINDA KOKA ADEMI