Maqedoni

Punëtori për Ligjin për evidencën amë, Deri në fund të vitit, 700 persona të regjistrohen

19.07.2023 18:19

Në mbështetje të OSBE-SË dhe UNHCR-së u mbajt punëtori kushtuar zbatimit...

Në mbështetje të OSBE-SË dhe UNHCR-së u mbajt punëtori kushtuar zbatimit  të ndryshimeve dhe plotësimit të miratuar në ligjin për evidencën amë. Në RMV rreth 700 persona nuk janë të regjistruar në regjistrin e të lindurve, nuk kanë dokumente identifikimi.Të pranishmit thonë se këtë vit jemi shumë afër zgjidhjes sistematike të personave pa dokumente të identifikimit. 
 
“Kemi vetëm disa muaj deri në përfundimin e këtij viti dhe ju njerëzit e zyrës për regjistrim keni për obligim implementimin e regjistrimit. Jemi shumë afër zgjidhjes sistematike dhe shumë afër mos të kemi asnjë person pa dokumentacion në shtet. Kjo ka tejkaluar çdo pritshmëri.”, - deklaroi Kristina Bunea nga UNHCR.
 
“Ministria  e Punës dhe Politikës Sociale si koordinatore e aktiviteteve për zgjidhjen e problemit të kësaj kategorie bashkë me drejtorinë e udhëheqjes së librave amë në prill të vitit 2018 hapi thirrje publike tek të gjithë personat që nuk janë të evidentuar në librin amë të të lindurve, të vijnë në njësitë e zonave të drejtorive që të plotësojnë pyetësorin për arsyet pse nuk janë evidentuar.”, - theksoi ministrja e Punës dhe politikës sociale, Jovanka Trençeska.
 
“Me këtë ligj ne përmbushim edhe detyrimet e marra ndërkombëtarisht për regjistrim civil dhe lëshimin e  dokumenteve të rregulluara nga konventa  e të drejtave të fëmijëve.”, - u shpreh ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
 
Kompetentët thonë që deri në fund të vitit 2023 personat e pa evidentuar në librin amë  të kenë një identitet, që të mund të realizohen të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutë pa ua kufizuar qasjen në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI