Botë
Nga stuhia që përfshiu Ballkanin, pesë të vdekur e dhjetëra të plagosur
20.07.2023 13:51
Të paktën pesë persona humbën jetën në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Slloveni...

Të paktën pesë persona humbën jetën në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Slloveni dhe dhjetëra u plagosën pasi një stuhi e fuqishme me erëra të forta dhe shi të dendur goditi Ballkanin të mërkurën. Një turiste amerikane thotë se ka parë njeri të vdekur nga goditja e një lisi.
“Ishte çmenduri, kishte shumë pemë që ranë dhe një person që ishte padyshim nën një pemë atje. Aty ishte për disa orë derisa 4 orë më vonë erdhi eksperti ligjor dhe më pas e dërguan. Nuk e di nëse ishte burrë apo grua, por ishte padyshim një i rritur. Kaosi është i madh atje më poshtë.”, - theksoi turistja në Slloveni.
Në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, janë raportuar dy viktima si pasojë e stuhisë. Sipas policisë kroate, dy burra humbën jetën pasi u goditën nga rrëzimi i pemëve. Ngjarja përfshin një 50-vjeçar që ndodhej jashtë në rrugë dhe një 48-vjeçar që ndodhej brenda makinës së tij gjatë fatkeqësisë. Në Cernik të Kroacisë, një person tjetër humbi jetën sa ishte në makinën e tij, gjithashtu nga rrëzimi një i peme.
Një situatë e ngjashme u raportua në Serbi. Erërat e forta u përhapën nëpër kryeqytetin serb të Beogradit, të mërkurën në mbrëmje. Disa pjesë të qytetit mbetën pa energji elektrike dhe aeroporti i Beogradit u mbyll përkohësisht.
Në Greqi zjarrfikësit arritën të vënë nën kontroll zjarrin që po përhapej në pjesën perëndimore të Atikës. Dëme materiale ka në afërsi të Athinës, ndërsa sot ka ndërhyrje me avionë dhe helikopterë. Zjarri në ishullin Rudos është ende aktiv, sipas autoriteteve janë djegur 3 mijë hektarë.
BELINDA KOKA ADEMI
