Maqedoni

Aksioni policor, Spasovski: Kemi siguruar prova të mjaftueshme

20.07.2023 14:44

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka komentuar aksionin e fundit policor...

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka komentuar aksionin e fundit policor, në të cilën u ngritën 18 kallëzime penale dhe 5 persona u arrestuan nën dyshimin se ata kanë bërë mashtrime tatimore dhe kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për rreth 840.000 euro. Spasovski thotë se bëhet fjalë për persona të cilët janë ndjekur për një kohë më të gjatë. Gjatë kësaj periudhe, MPB-ja ka arritur të sigurojë dëshmi të mjaftueshme se të dyshuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. 
 
“Ky është një grup, që sipas informacioneve operative të MPB-së bëhet fjalë për një krim shumë serioz. Për këtë rast ne kemi vepruar dhe ndërmarrë një sërë masash dhe aktivitetesh në procedurën para hetimore, ku janë siguruar shumë dëshmi. Këto janë persona të cilët janë ndjekur që nga viti 2020-2021 dhe u ngritën kallëzimet penale. Prej tani e tutje, për këtë rast vepron gjyqtari i procedurës paraprake dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
 
Spasovski demanton KShPK-në: Nuk ka keqpërdorim masiv të të dhënave
 
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, njëherit hedh poshtë dyshimet e kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, se gjatë prokurimit publik për digjitalizimin e librave amë nuk ishin paraparë masa adekuate për mbrojtjen e privatësisë së të dhënave të qytetarëve. Spasovski thotë se nuk ekziston rrezik i lartë për tregtimin e të dhënave personale, siç dyshon Ivanovska. 
 
“Ne edhe deri tani kemi punuar dhe trajtuar rastet që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e të dhënave personale. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për keqpërdorim masiv të të dhënave apo tendencë për rritjen e rasteve të këtilla. Numri i rasteve që trajtojmë nuk është një numër aq i madh që mund të na shqetësojnë. Të gjitha institucionet që veprojnë mbi çështjen e të dhënave personale kanë rregullat dhe procedurat e tyre. Keqpërdorimet më të mëdha bëhen përmes portaleve dhe rrjeteve sociale dhe në këtë drejtim duhet punuar.”, - theksoi ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
 
Këto komente Spasovski i bëri gjatë vizitës së stacionit policor në Manastir, i cili është pjesë e projektit  “Kabinet i Hapur” i MPB-së, ku ai njëherit u takua me udhëheqësinë e SPB-së dhe qytetarët e Manastirit. Ditë më parë, Ivanovska ngriti dyshimet e saja dhe vlerësoi se pas analizave të bëra të këtij prokurimi publik, ekzistonte rrezik i lartë për tregtimin e të dhënave personale dhe u shpreh optimiste se analizat e antikorrupsionerëve do të merren parasysh, do të kontribuojnë dhe ndihmojnë hetuesit të vazhdojnë veprimet e tyre hetuese për këtë rast. 
 
REXHEP QAMILI