Trajanovski: Nuk do të ketë shembje të objekteve në “Rrugën e plastikave”

02.03.2015 16:41

Qyteti i Shkupit është duke e grumbulluar dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e Bulevardit “Nikolla Karev”, i njohur ndryshe si “Rruga e pllastikave” në Shkup...

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Tajanovski, thotë se në këtë periudhë të vitit janë duke punuar intensivisht në zgjidhjen e këtij problemi shumëdekadësh. Grumbullohen dokumentet që nevojiten për ndërtimin e këtij bulevardi sipas rregullores së re të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Trajanovski, premton se në këtë rrugë nuk do të ketë shembje të objekteve. 

“Në planet urbanistike nuk parashikohet zgjerimi i rrugës në fjalë, por parashikohet gjerësia të cilën duhet ta posedojë bulevardi. Në Qytetin e Shkupit për momentin po grumbullohen dokumentacionet e këtij bulevardi dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me Komunën e Çairit. Më përpara, sipas rregullores së Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, kur ndërtoheshin  bulevardet e reja në Shkup ishte e domosdoshme bulevardi i ri të ketë në mes gjelbërim, por nëse realizohet një gjë e tillë në “Rrugën e plastikave”, do të duhet të shemben shumë objekte përreth kësaj rruge. Andaj, për shkak të kësaj u ndryshua rregullorja e re e Mistrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ku u mundësua që në vendet ku ka shumë ndërtime përreth rrugës, bulevardi i ri të mos ketë gjelbërim në mes të rrugës, por të ketë vetëm 4 korsi të qarkullimit”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

Një ndër problemet më të theksuara për zgjerimin e “Rrugës së plastikave”, që përfshihet në Bulevardin “Nikolla Karev”, është edhe kontesti juridiko-pronësor. (Rexhep Qamili, TVM2)