Maqedoni

Lista e zezë e ShBA-ve, Lloga: Më vjen mirë, që në listë u gjet Kamçev

20.07.2023 15:15

Përderisa ShBA-të vazhdojnë të shenjëstrojnë individë të korruptuar në vend...

Përderisa ShBA-të vazhdojnë të shenjëstrojnë individë të korruptuar në vend, ministri i drejtësisë Krenar Lloga shpreh keqardhje që organet gjyqësore, nuk e panë dhe akoma nuk e shohin tek Orce Kamçev, atë që e panë ShBA-të. Përfshirja e biznesmenit Orce Kamçev në listën e zezë të ShBA-ve do të rezultojë me kërkesë të ministrit Lloga, që Këshilli Gjyqësor të kontrollojë se nëse ka pasur lëshime në procedurat dhe lëndët e udhëhequra ndaj Kamçevit.

“Me z. Kamçev ndodhi ajo të cilën e kam pritur të ndodhë, por që organet gjyqësore në  RMV nuk janë duke e parë. Z. Kamçev është një nga sponsorët kryesorë për shkatërrimin e PSP-së dhe emri i tij lidhet me shumë probleme të tjera, të cilat janë në vend. Më vjen mirë që ai u gjet në Listën e zezë të ShBA-ve, por ndjej shumë keqardhje që organet gjyqësore të RMV-së nuk e kanë parë dhe nuk vazhdojnë ta shohin me syrin me të cilin e sheh edhe qytetari i thjeshtë.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
 
Ligji për amnisti, Lloga: Të lirohen burgjet e mbingarkuara
 
Ndërkohë, shteti tenton të gjejë zgjidhje për zvogëlimin e numrit të të burgosurve, për shkak të stërngarkesës së burgjeve dhe mungesës së kushteve.
 
“Ideja për propozim-ligjin për amnisti vjen nga ajo që një pjesë e burgjeve janë të mbingarkuara dhe nuk ofrohet ai shërbim për të cilën ekziston, e ai është risocializimi i qytetarëve të privuar nga liria. Po tentojmë që së bashku me të gjitha partitë parlamentare të rikthejmë në procedurë ligj të ngjashëm me atë në vitin 2010 dhe me këtë një pjesë e kryerësve të veprave të lehta penale të dalin në liri, që të mund të vendosen në funksion të gjitha burgjet në vend.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
 
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme nuk kishte shumicën e nevojshme që të shqyrtojë  iniciativën e partisë politike “E Majta” për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Evidencën Amë, i cili konteston disa nene, të cilat parashikojnë regjistrimin e kombësisë në regjistrin amë të lindjeve, në regjistrin e martesave dhe në regjistrin e të vdekurve. Ndërkohë, Ministri Lloga pret që Gjykata Kushtetuese të hedhë poshtë iniciativën në fjalë. 
 
FLORIJE KAMBERI