Maqedoni
Komisioni Rregullator i Energjetikës, VMRO kundër rizgjedhjes së Bislimovskit
20.07.2023 15:27
VMRO-DPMNE me kritika të ashpra ndaj rizgjedhjes së Marko Bislimovskit në krye të Komisionit Rregullatorë të Energjetikës....

VMRO-DPMNE me kritika të ashpra ndaj rizgjedhjes së Marko Bislimovskit në krye të Komisionit Rregullatorë të Energjetikës. Veprimi i deritanishëm i Bislimovskit në këtë komision ka bërë që i njëjti të konsiderohet si anti-energjetik, pasi ka kontribuar në rritjen e çmimeve të rrymës dhe ka shënuar shpenzime të larta.
“Që kur ai është kryetar i Komisionit Rregullator të Energjetikës, shpenzimet nga viti në vit rriten në mënyrë drastike. Nga viti 2018 deri në vitin 2022 në komision janë rritur shpenzimet për 10 milion denarë. Gjatë kohës së krizës energjetike dhe ekonomike me inflacionin e pakontrolluar, lirisht mund të thuhet se komisioni si pasojë e mosveprimit në kohë, ndihmoi që shteti edhe më shumë të hyjë në këtë krizë.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Angelinka Petkova.
Sipas deputetëve të opozitës, as tre anëtarët e rinj nuk përmbushin kushtet për të qenë pjesë e komisionit.
“Votimi i sotëm i Marko Bislimovskit, Merita Demës dhe Faton Hambarit është vetëm që të kënaqen orekset e shtyllave që mbajnë Kovaçevskin kryeministër, pasi në fakt nuk është kryeministër. Vallë, këto janë vlera evropiane?”, - theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Bllagica Llasovska.
Deputeti i LSDM-së, Kole Çarakçiev, doli në mbrojtje të punës së komisionit.
“Kemi derivate më të lira në rajon, energji elektrike më të lirë, ngrohje qendrore në qytetin e Shkupit, janë marrë disa licenca të lojtarëve kryesorë në tregun e energjisë elektrike dhe mund të themi se komisioni po kryen punën.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Kole Çarakçiev.
Komisioni Rregullator i Energjetikës numëron 7 anëtarë në krye me kryetarin Bislimovski. Përpos tij, rizgjedhje bëhet edhe për tre anëtarë: Andrijana Nellkova, Andrej Tasev dhe Lirim Sulejmani. Anëtarë të rinj propozohen: Merita Dema, Faton Hambari dhe Aleksandar Çebotarev.
MERAL ISMAILI
