Festivali në Monte Karlo, Yllka Mujo merr çmimin e karrierës
Aktorja e mirënjohur shqiptare, Yllka Mujo, u nderua në Monte Karlo me çmimin e karrierës, çmimin më të madh që ka marrë ndonjëherë një artiste e skenës dhe filmit në Shqipëri....

Në edicionin e 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Skenës dhe Ekranit në Monte Carlo, në konkurrencë me aktorë të njohur nga skena botërore dhe evropiane, Yllka Mujo fitoi çmimin e karrierës. Krahas shumë emrave të njohur të kritikëve, regjisorëve e aktorëve, ajo gjithashtu ishte edhe anëtare e jurisë së festivalit.
Pas marrjes së çmimit, në fjalën e rastit në skenën e Festivalit në Monte Carlo, ajo prezantoi me dinjitet Shqipërinë dhe falënderoi kolegët aktorë të cilët punuan së bashku me të për dhjetëra vjet në kushtet e diktaturës, ku artistët ishin e vetmja “dritare e shpresës”.
Me këtë rast, në festival ishte ftuar edhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e cila i dorëzoi çmimin artistes sonë.
Yllka Mujo lindi në Tiranë, por karriera saj filmike filloi qysh në moshën 16 vjeçare me rolin e Almës tek filmi “I teti në Bronx”, ndërsa pas mbarimit të studimeve universitare ajo u punësua në Teatrin Kombëtar, ku për shumë vite interpretoi dhjetëra kryerole. Lista e roleve të saj në teatër dhe në film është e gjatë, por mund të veçojmë: “Orët e Kremlinit” ,“Luiza Miler”, “Përmbytja e madhe” ,“Vizita e Inspektorit”, “Nata e dymbëdhjetë” ,“Zbutja e kryeneçes”,“ Fernando Krafi shkruajti një letër”, “ Filomena Maturano”e të tjerë. Disa nga rolet në film: “Zonja nga qyteti”, “Taulanti kërkon një motër”, “Lule të kuqe, lule të zeza” etj.
Yllka Mujo ka qenë e ftuar edhe nga Teatri Shqiptar i Shkupit, ku ka interpretuar në shfaqen “Nesër nisemi për në Parajsë” dhe “Për Gynti”.
Krahas çmimeve të tjera, Yllka Mujo në vitin 2010 u dekretua nga presidenti Shqipërisë, Bamir Topi, me urdhrin “Mjeshtër i madh”. (Merita Çoçoli, TVM2)
