Maqedoni
Ndryshimet ligjore për tatimet, Mickoski: Po keqpërdoret flamuri evropian
20.07.2023 15:41
Ndryshimet ligjore në ligjin për TVSh-në, që erdhën me flamur evropian në Kuvend...

Ndryshimet ligjore në ligjin për TVSh-në, që erdhën me flamur evropian në Kuvend, janë një tjetër abuzim me vlerat dhe flamurin evropian, vlerëson kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ai propozon që të organizohet debat publik për ndryshimet në ligjet për TVSh-në, tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin e solidaritetit dhe të merren parasysh mendimet e ekspertëve të fushës.
“Ajo që do të shtrohet si tezë në atë diskutim publik, nëse ndodh, atëherë Ministria e Financave dhe Qeveria ta kenë parasysh dhe ta bëjnë pjesë të politikave të tyre. Ndryshe, ndjesia e biznesit, por edhe qëndrimi ynë, është se kompanitë që janë të disiplinuara dhe që deri më tani i paguajnë obligimet dhe mbushin buxhetin, rëndohen shtesë në kurriz të atyre kompanive që nuk janë të disiplinuara dhe janë pjesë e ekonomisë gri dhe nuk i paguajnë obligimet në buxhet.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hrsitijan Mickoski.
Azeski: Barrë shtesë për bizneset
Edhe bizneset kërkojnë që të bëhet një debat publik. Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, thotë se do të shkojnë deri në fund për të vërtetuar se ligji për tatimin e solidaritetit është i dëmshëm për sektorin e biznesit.
“Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet si në parlament, te kryetari i shtetit, por edhe te Gjykata Kushtetuese. Qëllimi kryesor i yni është të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat demokratike, që i kemi në dispozicion dhe në një debat konstruktiv të dëshmojmë se edhe argumentet tona vlejnë. Nuk guxon të keqpërdoret emri i ligjit, për shkak se këto kompani janë dëshmuar se janë solidare.”, - theksoi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski.
Përndryshe, Ligji për Tatimin e Solidaritetit është dorëzuar në Kuvend, i cili kësaj radhe propozohet të futet në procedurë të shkurtuar. Nga taksa e njëhershme e solidaritetit, Qeveria parashikon të mbledhë rreth 76.4 milionë euro si të hyra të jashtëzakonshme buxhetore, që do të përdoren për të përballuar pasojat e krizës energjetike.
ERSAN PAJAZITI
