Maqedoni
Aggeler: ShBA-të do të shënjestrojnë të korruptuarit
20.07.2023 15:52
ShBA-të do të vazhdojnë të shënjestrojnë individë të korruptuar, dhe të gjithë ata të cilët kanë punuar në kundërshtim me ligjin...

ShBA-të do të vazhdojnë të shënjestrojnë individë të korruptuar, dhe të gjithë ata të cilët kanë punuar në kundërshtim me ligjin dhe paraqesin rrezik për Ballkanin, do të jenë në listën e zezë amerikane, e më pastaj u përket autoriteteve vendase që të vendosin se si do të veprojnë ndaj këtyre personave, tha në press-konferencën me mediat ambasadorja e ShBA-ve në Shkup, Angela Aggeler. Ajo, po ashtu pohoi se Departamenti Amerikan i Shtetit vepron ndaj një personi kur ka fakte të forta ndaj tij dhe se si rrjedhojë po vijnë edhe sanksionet ndaj disa personave në Maqedoninë e Veriut, ku ajo konfirmoi se aktualisht janë duke u konsideruar disa persona dhe organizata për t'u përfshirë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, por për momentin nuk dihet se kush do të ishte i radhës.
“Ky është një proces do të vazhdojë dhe nuk mund t’u them se kush do të ishte personi tjetër i cili do të gjendet në listën e zezë. Ne hulumtojmë raste dhe persona të tillë, pastaj gjyqësori ose zyrtarët tjerë qeveritar këtu, nga ata varet nëse do të marrin veprime të tjera, ndërsa vendimet e tyre duhet të bazohen në ligjet e Maqedonisë së Veriut, por korrupsioni nuk duhet të lejohet në asnjë formë në këtë shtet. Ata që e kanë minuar sundimin e së drejtës duhet ta kuptojnë se korrupsioni ka pasoja. ShBA-të do të vazhdojnë të shënjestrojnë individë të korruptuar të cilët rrezikojnë sundimin e së drejtës dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut.”, - deklaroi ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler.
Aggeler, po ashtu foli edhe për vendimin e djeshëm të Departamentit Amerikan i Thesarit për ta përfshirë në listën e zezë biznesmenin Jordan Kamçev, ku Aggeler pohoi se ShBA-të do të vazhdojnë të shënjestrojnë individë të korruptuar. Sipas Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja, brenda Departamentit amerikan të Thesarit, Kamçev është përfshirë në aktivitete korruptive dhe e ka çuar përpara një agjendë egoiste në kurriz të institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Këto sanksione, sipas Aggeler nuk ndikojnë vetëm te kompanitë dhe pronat e Jordan Kamçevit, por edhe te ata bashkëpunëtorë, të cilët kanë bërë biznes me të. Kamçevi është personi i dytë, i cili përfshihet në listën e zezë për më pak se një muaj, ndërsa i pari ishte kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.
FITIM KRYEZIU
