Neziri–Besimi, masa për punësim dhe vetëpunësim për të rinjtë

02.03.2015 17:05

Maqedonia në vazhdimësi po punon në zbatimin e strategjisë 2020 të përpiluar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, i cili parasheh punësimin e 1 milion qytetarëve deri në vitin 2020...

Numri “një” i Ekonomisë, Bekim Neziri, dhe zëvendëskryeministri i Eurointegrimeve, Fatmir Besimi, vlerësojnë se Qeveria e Maqedonisë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë angazhohet fuqimisht në uljen e papunësisë në vend përmes investimeve të huaja dhe hapjes së zonave të reja industriale.

“Qeveria e RM-së dhe Ministria e Ekonomisë arriti që tre vitet e  kaluara ta rrit eksportin në vend prej 50 deri më 80%. Gjithashtu në 13 zonat ekonomike kemi mbi 3500 të punësuar të ri dhe nëse bëjmë një krahasim të vitit 2014 me vitin 2011, papunësia prej 38% tani në 2014 është diku rreth 30%”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

Zëvendëskryeministri i Eurointegrimeve, Fatmir Besimi, theksoi se Maqedonia, përmes thithjes së investimeve të huaja, po tenton të zvogëlojë papunësinë.

“Maqedonia po përpiqet që në njëzet vitet e ardhshme të ketë rritje më të madhe prej 4.5 për qind, për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian. Për të realizuar këtë, është e nevojshme rritja të jetë e  bazuar në sektorin privat, e jo si është tani në vendet e rajonit, që sektori publik, si recidiv i komunizmit të jetë faktori kyç për punësim dhe krijim të vendeve të reja të punës”- tha zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.

Sekretari gjeneral i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Goran Svillanoviç, konstatoi se e vetmja mënyrë për t’u ballafaquar me papunësinë në Evropën Juglindore është përmes bashkëpunimit rajonal.

Rezultatet e studimit tregojnë që 80% e të anketuarve nga Tirana dhe Prishtina konsiderojnë se problemi do të zgjidhet me hyrjen  në Bashkimin Evropian, ndërsa në kryeqytet tjera kjo përqindje është shumë më e vogël. (Ersan Pajaziti, TVM2)