Dibër, thellohet bashkëpunimi i komunave të Turqisë dhe Maqedonisë

02.03.2015 17:27

Ngritet lartë bashkëpunimi mes komunave të Turqisë dhe komunave të Ballkanit, tha në konferencën për shtyp kryetari i Komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, gjatë informimit për takimin e mbajtur nga 22 deri më 28 shkurt në Stamboll, ku u mbajt një konferencë me kryetaret e komunave të Ballkanit, pra kryetarët e komunave nga Maqedonia, Kosova, Bosnja-Hercegovina, Mali i Zi dhe Sanxhaku...

Lata për këtë takim tha se ky ishte një takim pune në të cilin nga Maqedonia ishin pjesëmarrës kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, kryetari i Studeniçanit, i Vrapçishtit dhe sekretari i Dollnenit.

Në këto takime u bisedua për bashkëpunim kulturor, ekonomik, për investime të ndryshme në Maqedoni, por më e rëndësishme ishte që komunat e ndryshme prezantuan mënyrën e organizimit të tyre, që ishte me të vërtetë për t’u marrë si shembull si janë të organizuara dhe se si si fondament kryesor e kishin që çdo qytetar i Turqisë të dijë dhe të ketë një mjeshtëri.

Sa u takon investimeve në Maqedoni, Lata tha se “ne bisedat i kemi bërë dhe presim që biznesmenët nga Turqia të investojnë në vendin tonë”.

Agjencia për Zhvillim e Turqisë, TIKA, dy vite më parë ndërtoi Shtëpinë Muze të Steblevasi Alirizait, pra siç i thonë turqit të “babës së Turqisë”, themeluesit dhe reformatorit të Turqisë moderne, Qemal Ataturkut, ndërkaq së shpejti pritet edhe nënshkrimi  i marrëveshjes për bashkëpunim mes Agjencisë për Zhvillim të Turqisë “Tika” dhe Komunës së Dibrës për ndërtimin e Gjimnazit të Dibrës. (Atli Dema, TVM2)