Tiranë, deputeti Doshi përjashtohet nga PS-ja

02.03.2015 17:29

Akuza të rënda janë lëshuar sot në drejtim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta...

Deklaratat e forta kësaj here nuk kanë ardhur nga opozita, por nga radhët e Partisë Socialiste. Deputeti, Tom Doshi, i cili pak ditë më parë kritikoi Ramën për punë të dobët, sot deklaroi se Ilir Meta i ka kërkuar kryeministrit që ta vrasë atë, madje të dy kanë paguar një vrasës me pagesë.

Rama ka refuzuar të flasë për këtë çështje, por pak minuta pas përfundimit të mbledhjes, ka deklaruar se Doshi ka cenuar dinjitetin e qeverisë.

“Me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cenuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie. Prandaj, unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare”- tha Rama në rrjetin social.

I prekur nga kjo ngjarje dhe i vetmi që ka komentuar është deputeti socialist, Ben Blushi, i cili thotë se dy miqtë e ngushtë u prishën për motive jopolitike. (Luljeta Ndoka, TVM2)