Botë
Kurti: Kosova plotëson kërkesat për anëtarësim në KE-në
21.07.2023 14:42
Republika e Kosovës e ka vendin në Këshillin e Evropës pasi është ndërtuar në vlerat evropiane dhe në respektim të pakicave....

Republika e Kosovës e ka vendin në Këshillin e Evropës pasi është ndërtuar në vlerat evropiane dhe në respektim të pakicave. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast u shpreh i bindur se Kosova i ka plotësuar edhe kërkesat ligjore edhe standardet demokratike për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.
“Tani që procesi ka kaluar te Asamblea Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila do të japë mendimin e sajë mbi aplikimin e Kosovës, lirisht mund të themi se fillon etapa substanciale e procesit, e cila do të shoqërohet me vizita faktmbledhëse të raportuesve dhe përgatitje të raportit. Në këtë kontekst grupi koordinues do të ketë një rol tejet të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të brendëshëm si dhe me ofrimin e një pasqyre sa më të saktë dhe koherente të situatës në Kosovë lidhur me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gërvalla: Kosova tanimë është dashur të jetë anëtare e KE-së
Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, tha se gjatë tërë etapës së parë të procedurës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka pasur bashkëpunim të mirëfilltë ndërinstitucional.
“Si vendi më demokratik në rajon, si një vend i cili është shembull në përfaqësimin e vlerave që janë baza mbi të cilën është krijuar KE-ja, mendojmë që Kosova dje do të duhej të ishte anëtarësuar në KE, madje shumë vite më parë, prandaj çdo ditë që e humbasim për shkak të një bashkërendimi jo të mirë është një ditë e humbur që nuk do të duhej të ndodhte.”, - theksoi Donika Gërvalla Shvarc nga MPJ-a e Kosovës.
Më 24 prill komiteti i ministrave i Këshillit të Evropës vendosi në favor të aplikimit të Republikës së Kosovës duke përmbyllur me sukses fazën e parë në procesin e anëtarësimit, u tha në mbledhjen e grupit koordinues që udhëhiqet nga zëvendësministri i jashtëm, Kreshnik Ahmeti.
SEDAT SELIMI
