Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese në Kuvend, VMRO: Do ta shprehim qëndrimin kundër
21.07.2023 15:50
Komisioni Parlamentar për Çështje Kushtetuese të martën do ta fillojë seancën e parë me një pikë të vetme të rendit të ditës...

Komisioni Parlamentar për Çështje Kushtetuese të martën do ta fillojë seancën e parë me një pikë të vetme të rendit të ditës - Propozim për aderim në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzim për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë seancë do të marrin pjesë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së. Megjithatë thonë se do ta shfrytëzojnë këtë rast për ta bërë të qartë qëndrimin e tyre se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese.
“Deputetët do të marrin pjesë në debat, ku do të shprehin qartë argumentet kundër ndryshimeve kushtetuese dhe shumë shpejt do të bëhet e qartë se Qeveria nuk ka shumicën për ta.”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
LSDM: VMRO po bllokon ardhmërinë evropiane
Nga LSDM-ja reagojnë duke thënë se VMRO-DPMNE-ja historikisht është në anën e bllokimit të së ardhmes evropiane për vendin.
“Me LSDM-në mbrohet dhe konfirmohet gjuha dhe identiteti maqedonas, ndërsa Mickoski dhe DPMNE-ja deri më tani nuk kanë bërë gjë tjetër veç shkatërrim, bllokada dhe dëme ndaj shtetit dhe qytetarëve.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Geer: Mos e bllokoni ardhmërinë evropiane
Përderisa partitë politike vazhdojnë të kenë dallime, euroambasadori i BE-së, David Geer edhe njëherë paralajmëron faktorin politik në vend se pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese, vendi nuk ka ardhmëri pozitive evropiane.
“Në qoftë se nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, në atë rast do të anulohet procesi i integrimit. Kjo do të thotë se do t’u duhet më shumë kohë për t’u bërë anëtare e BE-së, megjithatë BE-ja nuk do të zhduket. Ne mbetemi këtu me ju që të mbështesim procesin reformues dhe ne jemi këtu për t’u ndihmuar të gjithë atyre që duan që ky vend të ketë ardhmëri evropiane.”, - deklaroi shefi i delegacionit të BE-së në RMV, David Geer.
Përndryshe, pas miratimit të amendamenteve në Komision, të njëjtat duhet të gjenden në seancën plenare, e cila është caktuar për më 18 gusht.
ERSAN PAJAZITI
