“Përgjimet”, Server: Shqiptarët duan BE dhe NATO, jo destabilizim
Pretendimet për përgjimin e ambasadorëve të huaj, në mesin e të cilëve thuhet se ka edhe ambasadorë të vendeve të BE-së, kanë ngjallur shqetësim në Bruksel...

Zëdhënësja e komisionarit për fqinjësi dhe bisedime për zgjerim, Maja Koçijançiq, thotë se çdo përgjim eventual i ambasadorëve është shkelje e konventës së Vjenës. Por, BE pret gjithsesi rezultatet e një hetimi nga organet përgjegjëse rreth aferës së përgjimeve.
“Bashkimi Evropian ka shprehur publikisht shqetësimin e thellë rreth indikacioneve për përgjime masive, aq më tepër që këto përgjime janë të një origjine dhe ligjshmërie të panjohur. Përmbajtja e përgjimeve duhet t’i nënshtrohet hetimit nga autoritetet kompetente në mënyrë transparente dhe të pavarur. Nëse korrespodenca diplomatike është përgjuar, kjo përbën shkelje të përgjegjësisë nga shteti mikpritës bazuar në Konventën e Vjenës”- deklaroi zëdhënësja e komisionarit për fqinjësi dhe zgjerim, Maja Koçijançiç.
Kryeministri Gruevski vazhdon të këmbëngul se përgjimet janë bërë nga shërbimet e huaja, e më pas i janë servirur opozitës për të rrëzuar qeverinë aktuale.
Por, analisti amerikan, Daniel Server, hedh poshtë mundësinë për implikim të shërbimeve të huaja dhe mundësinë e destabilizimit të organizuar të Maqedonisë. Ai konsideron, madje, se Uashingtoni nuk favorizon asnjë opsion politik në Maqedoni.
“SHBA-të nuk kanë interes të destabilizojnë Maqedoninë. Jam i bindur se nuk janë shumë të interesuar që për Maqedoninë të kyçen në përgjimin e mijëra qytetarëve. Greqia dhe Rusia kanë shumë më tepër shkaqe të jenë të interesuara, por nuk e di me siguri nëse ato janë të implikuara në përgjim. Uashingtoni favorizon demokraci dhe anëtarësim në NATO për Maqedoninë. Do ta mbështesë secilin që do të vijë në mënyrë demokratike në pushtet. Gjithashtu, Uashingtoni do ta mbështesë sistemin demokratik në Maqedoni”- tha eksperti për çështjet e Ballkanit, analist amerikan, Daniel Server.
Duke u përgjigjur në pyetjen se nëse shikon ndonjë rrezik në këtë situatë që të aktivizohen edhe shërbimet e inteligjencës shqiptare që të kryejnë presion për shkatërrim të Maqedonisë, Server dha këtë përgjigje:“Dyshoj në këtë. Por, shqiptarët në Maqedoni përfundimisht dëshirojnë ta shohin Maqedoninë në NATO dhe do të zhgënjehen nëse ky incident e dëmton perspektivën e këtillë. Ky është konfrontim mes dy maqedonasve, Zaevit dhe Gruevskit. Shqiptarët janë vëzhgues që nuk dinë çka të bëjnë. Maqedonasit dhe shqiptarët në të kaluarën kanë qenë mjaft të urtë që ta ruajnë vendin e tyre nga konfliktet më të këqija. Besoj se do të jenë të mençur edhe në të ardhmen”.
Sipas Serverit, e ardhmja e Maqedonisë është në strukturat euroatlantike dhe se ky proces duhet të përshpejtohet. Ambasadat e shumë vendeve, mes tyre edhe ajo e Britanisë së Madhe dhe e Italisë, si dhe misioni i BE-së në Shkup u kanë bërë tashmë thirrje autoriteteve që të sigurojnë një proces transparent dhe të pavarur gjyqësor, por opozita vazhdimisht thotë se publikimi i bombave të para të saj, që tregonin se gjyqësori kontrollohet tërësisht nga qeveria, shprehën atë se edhe në këtë rast mund të pritet ndonjë epilog vërtetë i pavarur nga gjyqësia e vendit. (Sanije Kasami, TVM2)
