Maqedoni
Moti në RMV deri në 43 gradë, rritet numri i thirrjeve të Ndihmës së shpejtë
21.07.2023 16:22
Valët e nxehta të cilat kanë kapluar, jo vetëm vendin tonë, por edhe vende të ndryshme në rajon dhe Evropë...

Valët e nxehta të cilat kanë kapluar, jo vetëm vendin tonë, por edhe vende të ndryshme në rajon dhe Evropë, kanë shkaktuar dëme të caktuara, thatësira, zjarre, por kanë ndikim të theksuar edhe në shëndetin e qytetarëve. Deri të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë me temperatura të larta të mëngjesit dhe ditës. Sipas parashikimit të metereologëve, temperaturat ditore në vend do të jenë më të lartat të shtunën dhe të mërkurën, deri në 43 gradë dhe me indeks UV 10. Të dielën dhe të martën, temperatura maksimale ditore do të arrijë 42gradë, të hënën 40 dhe të enjten 39 gradë. Në Qendrën e ndihmës së parë në Shkup, qytetarët më së shumti drejtohen për simptomat e zakonshme të shkaktuara nga i nxehti, por më së shumti intervenohet në aksidentet e komunikacionit, që më të shpeshta janë ato me motoçikletë dhe trotinete.
“Më së shumti ankohen për kokëdhimbje, marramendje, vjellje. Këto janë disa nga simptomat të cilat vazhdimisht paraqiten, por kemi edhe simptoma të tjera, jo që nuk i kemi. Por, më së shumti intervenojmë për aksidente në komunikacion. Një kohë kishim intervenime për kolapse, por duket se qytetarët janë duke i respektuar rekomandimet të cilat i theksojmë vazhdimisht, kështu që aksidentet në komunikacion janë në vend të parë në veçanti me motoçikleta dhe trotinete.”, - deklaroi udhëheqësja në Ndihmën e Shpejtë, Milica Bubalo.
Zjarre në rajonin e Likovës dhe Kumanovës
Një ekip prej njëmbëdhjetë zjarrfikës kanë zhvilluar intervenim disaorësh në kashtë, bar të thatë dhe drithëra në fshatrat e rajonit të Kumanovës dhe Likovës. Në fshatin Agino është zënë çatia e një shtëpie verore, ndërsa shuarja është vështirësuar nga bari i lartë, thonë nga njësia e zjarrfikësve.
“Për shkak të reshjeve të dendura gjatë muajve të kaluar, bari është shumë i lartë dhe kjo krijon një problem shtesë gjatë shuarjes. Gjatë kësaj periudhe kemi me shumë ditë diell, bari është shumë i thatë dhe kjo është arsyeja e zjarreve. Ka filluar sezoni veror, çdo ditë kemi zjarre dhe një numër më të madh të intervenimeve.”, - theksoi zv. kom. i Njesisë së zjarrëfikësve në Kumanovë, Boris Stankovski.
Ndërkohë, zjarret rreth Athinës janë aktive, ndërsa autoritetet greke urdhëruan evakuimin e zonave të banuara në pjesën perëndimore të Athinës. Autoritetet paralajmëruan se situata mund të përkeqësohet më tej për shkak të motit jashtëzakonisht të nxehtë me mbi 40 gradë Celsius. Sipas NASA-s, korriku 2023 ka të ngjarë të jetë muaji më i ngrohtë në qindra, nëse jo mijëra vjet.
LEUNORA KALIQI
