Botë

Polonia rriti forcat ushtarake në kufi me Bjellorusinë

21.07.2023 17:22

Polonia ka vendosur të zhvendosë formacionet ushtarake nga perëndimi në lindje të vendit...

Polonia ka vendosur të zhvendosë formacionet ushtarake nga perëndimi në lindje të vendit, për shkak të kërcënimeve të mundshme që lidhen me praninë e grupit mercenar “Wagner” në Bjellorusi.
 
Këtë e ka bërë të ditur sekretari i komitetit të sigurisë polake, Zbigniew Hoffmann. Rritja e vigjilencës së Polonisë vjen pas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes bjelloruse se mercenarët nga “Wagner” do të ndihmojnë në trajnimin e forcave speciale bjelloruse gjatë stërvitjeve në një poligon ushtarak pranë kufirit me Poloninë, e cila është anëtare e NATO-s. Në një video të publikuar të mërkurën, Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar “Wagner”, u pa duke mirëpritur luftëtarët e tij në Bjellorusi. Ministria e Mbrojtjes e Polonisë ka thënë se po monitoron situatën në kufirin me Bjellorusinë dhe është e përgatitur për skenarë të ndryshëm.