“Bomba 6”, vendi në kolaps ekonomik, Gruevski do luksin

02.03.2015 18:01

Vendi është para një kolapsi ekonomik, mirëpo qeveria nuk heq dorë nga luksi. Kredi të reja nga jashtë, borxhe ndaj kompanive vendore...

Të gjitha me urdhëresë të kryeministrit, Nikolla Gruevski. Kreu i LSDM-së shpalosi dëshmitë audio, ku përmes bisedave të ministrit të Financave, Zoran Stavrevskit, dhe ministres së Brendshme, Gordana Jankullovskës, kuptohet se pushteti ka falsifikuar pasqyrën ekonomike në vend.

Nga bisedat mësohet se institucionet kyçe nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre shkaku i borxheve. Madje, vetë Ministria e Brendshme rrezikon të mbetet pa karburant dhe pa energji elektrike. Dy bashkëbiseduesit pranojnë se kjo që po ndodhë është çmenduri dhe se shteti nuk funksionon. 

“Nikolla Gruevski, madje edhe në mes të natës, ka urdhëruar ministrat e tij që të punojnë në formë të kundërligjshme. Bëhet fjalë për direktiva nga Gruevski për marrjen e kredive milionëshe nga jashtë në formë të jashtëligjshme; për shpenzime buxhetore të palogjikshme; për reklama dhe përmendore, në kushte kur kanë qenë të diskutueshme pagesat në administratë; puna e resorëve kyç në shtet, nderi dhe dinjiteti i administratës publike, i popullit dhe shtetit”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Stavreski dhe Jankullovska shprehin revoltën ndaj veprimeve të kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili në situatë të tillë kërkon miliona për të blerë piktura për në muze. Sipas Zaevit, 11 bisedat e publikuara sot dëshmojnë kaosin në buxhet dhe katastrofën ekonomike. Ai fton qytetarët që t’u japin rëndësi bisedimeve telefonike dhe asaj se çfarë thuhet në to. Kush ka përgjuar do të zbardhet me kohë, theksoi Zaev.

“Përkushtojuni përmbajtjes së bisedave. Ajo e tregon të vërtetën për Maqedoninë. Ajo është aq e tmerrshme, por njëkohësisht krijon shok dhe një lloj katarze, por besoni kjo e vërtetë do t’i japë mundësi Maqedonisë për një të ardhme më të mirë. Kush ka përgjuar në shtet, do të shihni se ajo do të zbulohet ngadalë”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaev, përsëriti se pret zgjidhje politike. Ai nuk pret zgjedhje juridike nga pushteti gjyqësor, i cili, sipas tij, është dëshmuar se është nën kontroll të pushtetit ekzekutiv. Zaev, përjashtoi edhe mundësinë që përgjimi të trajtohet nga ndonjë komision hetues në kuadër të parlamentit. Sipas tij, përvoja ka dëshmuar se komisione të tilla janë të destinuara të dështojnë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)