Digjet vetura që pretendohet se është e Grubit

22.07.2023 15:41

Rreth orës 03:30 të mëngjesit....

Rreth orës 03:30 të mëngjesit i është vënë flaka një verture të tipit Audi, për të cilën u pretendua se është vetura private e zv/kryeministrit Artan Grubi.

Nga MPB konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur në rrugën Strumiçka të komunës së Çairit, në të cilën edhe jeton zv/kryeministri Grubi, por njoftojnë se vetura në fjalë është në pronësi të një personi tjetër.

“Sot (22.07.2023) në SPB Shkup është raportuar se rreth orës 03:30 në rrugën “Strumiçka” ka rënë zjarr në automjetin e pasagjerëve “Audi” me targa të Shkupit, në pronësi dhe parkim të B.L.(35) nga Shkupi. Zjarri është shuar, nuk ka të lënduar, ndërsa kontroll është kryer nga ekipi inspektues i SPB Shkup” – tha zëdhënësja e MPB-së, Suzana Pranjiç.

Grubi: Sulmet e tilla qyqare nuk do më ndalin

Këtë akt e dënoi zv/kryeministri Grubi, i cili veprimet e tilla i quan qyqare, të cilat për qëllim të vetëm kanë të shtojnë presionin ndaj tij. 

Ai kërkoi ndjesë edhe mikut të tij dhe fqinjëve për dëmin e pësuar, të cilët siç tha janë viktima të profesionit të tij, por bëri me dije se veprimet e tilla nuk do da ndalin.

 “Në politikë jam për të shërbyer dhe për të lënë gjurmë me punë e me vepra, e jo që të më terrorizohet familja, fqinjtë dhe shoqëria. Kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet e njëpasnjëshme i konsideroj si qyqare dhe tinzare, por unë nuk e kam ndërmend të ndalem dhe të zbrapsem nga puna dhe realizimi i pritshmërive të qytetarëve. Ju kërkoj falje që shqetësimet e mija dhe të familjes sime u shënderuan në shqetesime edhe të fqinjëve dhe shoqërisë.”, thuhet në reagimin e zv/kryeministrit Grubi.

Ndaj këtij akti kanë reaguar edhe bashkëpartiakët tjerë të Grubit, duke apeluar që sa më shpejt organet kompetente të ndërmarrin veprime për zbardhje të rastit. (Ersan Pajaziti, TVM2)