Partitë politike me akuza të ndërsjella, LSDM: VMRO nuk mbështeti heqjen e kamatave
Nuk pushojnë akuzat e partive politike....

Nuk pushojnë akuzat e partive politike ndaj njëra tjhetrës për atë se kush punon në dëm të qytetarëve. Nga partia në pushtet akuzojnë VMRO-DPMNE-në se nuk votuan për heqjen e kamatave dhe shpenzimeve për kreditë e shpejta.
Nga kjo parti thonë se partisë së Mickoskit, nuk i intereson për hallet e qytetarëve. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore, sipas partisë në pushtet, më nuk do të lejohet që kamata të kalojë shumën e borxhit kryesor dhe nuk do të ketë më situata ku të kthehen deri në 10.000 denarë për një borxh prej 1.000 denarësh.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së në Kuvend nuk i votuan zgjidhjet ligjore për heqjen e kamatës dhe kostos së kredive të shpejta. Shumica parlamentare e udhëhequr nga LSDM miratoi ndryshimet në Ligjin për Përmbarim dhe Ligjin për Detyrimet, të cilat i dhanë fund normave të larta të interesit dhe borxhit skllavërues që futi në kurth mijëra qytetarë. Rregullohen edhe të ashtuquajturat kredi të shpejta, ku kostot nuk mund të jenë më të larta se 60 për qind e shumës së kredisë. Është ndërprerë praktika me të cilën qytetarët paguanin 70.000 denarë për kredi prej 10.000 denarë” – tha Lidija Tasevska nga LSDM.
VMRO-DPMNE: LSDM përgjon qytetarët
Nga ana tjetër VMRO-ja opozitare ka akuzuar pushtetin dhe kryeministrin Kovaçevski se po përgjon në mënyrë të palejuar qytetarët e vendit.
Edhe Prokuroria, sipas VMRO-së, prej një jave po hesht për skandalin e softuerit Predator, i cili synon të përgjojë qytetarët. Partia e Mickoskit pyet kryeministrin, Dimitar Kovaçevski se pse ka lejuar që Maqedonia të blejë softuerin Predator, në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore.
“Kompania Sytrox, e cila është në listën e zezë të SHBA-së për shkelje të sigurisë kibernetike të qytetarëve dhe organizatave në mbarë botën, ka zhvilluar në Shkup softuerin spiun Predator. Me këtë softuer, Kovaçevski dhe LSD në mënyrë të paligjshme monitorojnë dhe përgjojnë masivisht qytetarët dhe drejtpërdrejt shkelin të drejtën kushtetuese për privatësi dhe fshehtësi”, akuzojnë nga VMRO-DPMNE. (Ersan Pajaziti, TVM2)
