VMRO-DPMNE: Miniera “Illovica”, dëshmi e marrëveshjeve biznesore
Miniera "Illovica" është dëshmi e marrëveshjeve biznesore....

Miniera "Illovica" është dëshmi e marrëveshjeve biznesore të qeverisë, thonë nga VMRO-DPMNE. Zëdhënësja e VMRO-së Marija Miteva theksoi se aktualisht është një person që konsiderohet si person i afërt me BDI-në, i cili hyn me aksion si koncesionar dhe në mënyrë magjike pas vetëm 15 ditësh, Gjykata Administrative merr vendim për anulimin e vendimit për ndërprerjen e koncesionit.
“Nuk është as koalicion i bazuar në qëllime programore, as në bazë të interesave për Maqedoninë, përkundrazi, ai bazohet në interesa personale të biznesit dhe sa më shumë që pasurohen aq më shumë qytetari maqedonas mbetet i varfër. Pasi të gjithë u rebeluan dhe u kuptua se qeveria kishte dhënë miratimin për bashkimin e koncesioneve, qeveria u përpoq menjëherë të drejtonte gishtin te dikush tjetër dhe të thoshte se VMRO-DPMNE ka dhënë koncesion. Ne duhej të shpjegonim të vërtetën se atë koncesion fillimisht e kishte dhënë qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në vitin 2006 dhe tani edhe pas 17 vitesh e duan këtë marrëveshje.” – deklaroi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Rrogat rriten, mbrojmë qytetarët nga kamatat
Nga ana tjetër nga LSDM thonë se në saje të qeverisjes së LSDM-së rrogat po vazhdojnë të rriten, kurse me miratimin e ndryshimeve ligjore për kamatat u është dalur në ndihmë qytetarëve të cilët me vitë të tëra kanë qenë të robëruar nga borxhet.
“Me ndryshimet në ligjet për marrëdhëniet dhe përmbarimin e obligacioneve, i dhamë fund normave të larta të interesit. Tashmë, kamata nuk do të lejohet të kalojë shumën e borxhit kryesor dhe ne kemi ulur afatin e parashkrimit të borxheve nga 10 në 5 vjet. Me këtë i dhamë fund pasurimit të madh të përmbaruesve në kurrizin e qytetarëve të ngulur në borxhe me dekada.” – u shpreh Deputetja e LSDM-së, Daniella Koleva.
Përderisa pushteti i miratoi këto ndryshime ligjore, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe të Majtës nuk dhanë mbështetje, thonë nga LSDM. (Ersan Pajaziti. TVM2)
