Daku, debutim mbresëlënës në Rusi
Futbollisti shqiptar, Mirlind Daku...

Futbollisti shqiptar, Mirlind Daku, ka debutuar me gol dhe me pasim për gol në ndeshjen e parë me skuadrën e e tij të re, Rubinin e Kazanit. Të shtunën, ai luajti për 75 minuta në barazimin e Rubin Kazanit në fushë të huaj përballë Lokomotivës së Moskës.
Ndeshja u mbyll me shifrat 2-2 dhe ishte e vlefshme për javën e parë të nivelit më të lartë të kampionatit të futbollit në Rusisë. Daku golin e shënoi që në minutën e 3-të të takimit, kur fitoi duelin me dy mbrojtës kundërshtarë, krijoi hapësirë në zonë dhe shënoi me një goditje me kokë, duke e kaluar Rubinin e Kazanit në epërsi.
Skuadra e tij pësoi gol në minutën e 23-të, teksa kryeqytetasit barazuar shifrat, por Daku sërish ishte vendimtar në kalimin sërish në epërsinë të skuadrës tatare.
Ai dha pasimin e fundit në minutën e 58-të, duke i mundësuar Zhoel Famejehut të shënojë. Megjithatë, skuadra mike pësoi përsëri gol 3 minuta para fundit dhe ndeshja u mbyll kështu në barazim 2-2.
Duhet theksuar se tek Lokomotiva e Moskës u aktivizua nga minuta e 71-të edhe mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Mario Mitaj.
Daku u transferua te skuadra ruse zyrtarisht më 11 korrik të këtij viti, duke ardhur nga Osijeku i Kroacisë, për një shifër prej 1.2 milionë Eurosh, ndërsa raportohet se ai fiton 1 milion Euro në vit.
Daku, që në edicionin e kaluar ishte i huazuar, por luajti me sukses te skuadra sllovene e Murës, duke shënuar 22 gola gjithsej, ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me skuadrën ruse.
Ai ishte transferuar nga Llapi tek Osijeku në vitin 2018, ndërsa si i huazuar ka luajtur te Kukësi në Shqipëri dhe Ballkani në Kosovë.
Daku ka pasaportë të Kosovës, por ka marrë kohët e fundit edhe pasaportën e Shqipërisë, çka tregon se ai është në radarët e trajnerit të Kombëtares kuqezi, Silvinjo, që ka dëshmuar se e ka zgjeruar fushëpamjen e punës së tij, duke mbajtur në vëmendje një numër elementësh premtues shqiptarë anembanë botës.
