Tatim i solidaritetit, VMRO kërkoi plan se ku do të dedikohen paratë

24.07.2023 16:00

Tatimi solidar, nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.....

Tatimi solidar, nga deputetët e VMRO-DPMNE-së shikohet si ligj kontraverz, i cili do të vjelë paratë e kompanive të ndërgjegjshme ndaj shtetit, duke anashkaluar kompanitë që nuk kanë paguar asnjëherë taksat.

Në debatin parlamentar pranë Komisionit për çështje evropiane, ata me amendamente kërkuan të përgatitet një plan ku do të përcaktohet dedikimi i tatimit solidar, pasi dyshojnë se paratë do të mbulojnë krimet e pushtetit në projektet infrastrukturore.

“Ky propozim-ligj për ligj solidar të njëhershëm është vetëm mbledhje të parave shtesë që të mbulohen vrimat të bëra me “Bechtel dhe Enka”. Me këtë marrëveshje, disa anëtarë të Qeverisë fituan provizione, ndërkaq shteti fitoi borxhe të reja. Andaj, nëse shkohet në vendosjen e tatimit të ri, i cili ngarkon shumë afarist, atëherë ky tatim të shfrytëzohet për masa solidare në kushte të krizës të cilin do ta definonim më detajisht së bashku.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Besimi: Paratë, ndihmesë antikrizë

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, refuzoi amendamentin për definim të programit të ri në shpërndarjen e taksave solidare, pasi sipas tij në ligj saktë përcaktohet strategjia e menaxhimit me paratë.

“Ky tatim nuk është neutral, i përgjithshëm sikurse janë tatimet e tjera për financimin e buxhetit, por saktë dihet dedikimi, andaj dhe vihet në programin P1, masa për përballjen me krizën e COVID19-të dhe masa të tjera antikrizë që kanë lidhje me krizën.”, - theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Shkrijel: Kthehen paratë te qytetarët

Deputetë të LSDM-së konsiderojnë se ligji nuk dhunon kompanitë, por përfshin disa të cilat më së shumti kanë përfituar nga ndihmat e shtetit në kohë krize.

“Qëllimi nuk është që të dënohen të suksesshmit dhe të aftët, por është ligj që përfshin kompani të cilat kanë realizuar përfitime ekstra, bëhet fjalë për një numër të kufizuar të tyre që kanë përfituar shumë në kushte krize dhe disa vite kanë shfrytëzuar mjete buxhetore, para të qytetarëve.”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Sanella Shkrijel.

Pushteti konsideron se mbështetjen për një ligj të tillë e ka dhënë edhe dhoma ekonomike, ndërkohë të gjithë ata që kontestojnë të njëjtën mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. (Meral Ismaili, TVM2)