Fier-Shqipëri, zjarret kanë përfshirë prej ditësh fshatin Peshtan

24.07.2023 17:06

Zjarret kanë përfshirë prej ditësh fshatin Peshtan të Fierit....

Zjarret kanë përfshirë prej ditësh fshatin Peshtan të Fierit, ndërsa situata më problematike është aktualisht në Vlorë ku po digjen mbetjet urbane.

Flakët që kishin nisur prej të shtunës dolën jashtë kontrollit dhe as ndërhyrja e helikopterit të ushtrisë “Cougar” për ta shtuar me ujë, nuk bëri punë, duke sjellë një panoramë jo të këndshme në këtë mes sezoni turistik.

Nisur nga situata, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thirri në një takim prefektët, kryetarët e bashkive, si dhe drejtues të strukturave të mbrojtjes civile, të cilëve u kërkoi koordinim më të mirë të punës për përballimin e emergjencave.

“Ne nuk jemi një vend pa kapacitete operacionale. Kemi 1.600 punonjës zjarrfikës në të gjithë vendin, 182 mjete zjarrfikëse, 80 autobote uji, kemi personelin dhe mjetet e FA-së, që siç e dini që në çdo emergjencë janë në ballë të aksionit, të gjitha strukturat e policisë që është në dispozicion dhe me të cilët punojnë shumë mirë, urgjencën shëndetësore, rrjetin e vullnetarëve, etj.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Në ndihmë të madhe në evidentimin e zjarreve sipas ministrit të Mbrojtjes, ka dhënë imazhet satelitore.

“Kjo do të thotë që nëse në të gjitha nivelet vendore e qendrore shterojnë burimet, ne kemi edhe një suport nga ky mekanizëm që na ka funksionuar dhe është një nga më efiçentët. Teknologjia është shtuar. Kemi dronët për rikonjicionet, kemi dronët ”Puma” që janë vënë në punë nga viti i kaluar e që na japin informacion shumë të dobishëm dhe në kohë shumë të shpejtë. Gjithashtu, edhe imazhet satelitore janë tani një ndihmë dhe një vlerë e shtuar.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Sipas këtyre të dhënave satelitore, ministri Peleshi tha se janë evidentuar 125 vatra zjarri në muajt qershor-korrik. Ai u kërkoi drejtuesve vendor që të kenë gati edhe planet e evakuimeve. (Luljeta Ndoka, TVM2)