Zjarret në Greqi, 30 mijë persona janë evakuuar në të gjithë vendin
Greqia po përballet me 82 zjarre në të gjithë vendin....

Greqia po përballet me 82 zjarre në të gjithë vendin, 64 prej të cilave nisën të dielën, e cila u cilësua si dita më e nxehtë e vitit. Evakuimet po kryhen në anën verilindore të ishullit të Korfuzit dhe në veri të Peloponezit.
Në aksionet e shpëtimit përveç zjarrfikësve të shumtë janë përfshirë edhe mjetet lundruese private. Sipas informacioneve policore, më shumë se 30 mijë persona janë evakuuar në të gjithë vendin.
“Ndihma nga misionet ndërkombëtare është e rëndësishme. 30 zjarrfikës sllovakë që operojnë me katër automjete janë të përfshirë në terren dhe dy avionë francezë kanë ndërhyrë nga ajri, së bashku me dy turq dhe një kroat.”, - deklaroi zëdhënësi i Njësisë së zjarrfikësve, Janis Artopojos.
Turistët në ishullin Rodos ka dy ditë që presin një avion fluturimi për t'u kthyer në shtëpitë e tyre. Disa prej tyre shkuan në strehimoret e shkollave. Zjarrfikësit lokalë morën mbështetje edhe nga Rumania.
“Ne u përpoqëm të gjenim dhoma hoteli dhe në të njëjtën kohë të akomodojmë njerëzit në salla konferencash, qendra sportive dhe shkolla. Të gjithë u pajisën me shtretër, ujë, ushqim dhe ilaçe. Është e rëndësishme të theksohet se banorët vendas na kanë dhënë mbështetje, kemi shumë vullnetarë. Aeroportet nuk pushuan së punuari. Nuk ka pasur asnjë ndërprerje të fluturimeve. Avionët lëvizin vazhdimisht, sepse vetëm një pjesë e vogël e ishullit është përfshirë nga zjarri.”, - theksoi ministrja e Turizmit të Greqisë, Olga Kefalojani.
“Ne ia dolëm t’i mblidhnim valixhet dhe thirrëm menjëherë pronaren e vendit ku ishim të akomoduar. Ajo është një heroinë e vërtetë. Na mori dhe na çoi në aeroport nga një anë tjetër. Gjatë rrugës pamë shumë autostopistë. Ne ishim vërtet me fat.”, - tha një turiste.
"Vullnetarët janë të mrekullueshëm. Ne kemi gjithçka që na nevojitet, ushqim, ujë gjithçka.", - tha një turiste tjetër.
"Ne jetojmë në qendër të qytetit, kështu që jemi të sigurt. Tani duam të ndihmojmë të tjerët. Më vjen keq për fshatrat që u dogjën.”, - u shpreh një banore.
Paralajmërimet për kujdes janë lëshuar për pesë rajone në Greqi. Ndër pikat kritike, sipas autoriteteve, është edhe ishulli i Kretës, ku sot është regjistruar një tërmet me magnitudë 3.6 të shkallës Rihter.
Ndërkaq, në Kavallë dhe në Serë kishte një stuhi. Temperaturat në këtë vend mesdhetar vazhdojnë të jenë mbi 40 gradë celsius. (Fitore Demolli, TVM2)
