Ndryshimet kushtetuese, Kuvendi nesër starton debatin në Komision

24.07.2023 17:38

Kuvendi, nesër fillon ndryshimet kushtetuese....

Kuvendi, nesër fillon ndryshimet kushtetuese. Në Komisionin për çështje kushtetuese starton debati, ndërkaq kryeministri Dimitar Kovaçevski do të arsyetojë ndryshimet.

Debati në këtë trup parlamentar pritet të zgjasë maksimum dhjetë ditë dhe të përfundojë më 9 gusht, ndërkaq do të marrin fjalën deputetë të të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe VMRO-DPMNE, të cilët kundërshtojnë ndryshimet.

Mickoski: Do të jemi kundër, nevojiten zgjedhje

Kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski ka deklaruar se në Komision do të thuhet qëndrimi kundër, ndërkaq nevojitet që Parlamenti të shpërbëhet.

Sipas Mickoskit, Brukseli do të gabonte nëse do të ndante Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria në rrugëtimin evropian nëse nuk përmbushen ndryshimet kushtetuese.

“Presim sjellje evropiane tek partnerët tanë strategjik dhe me një qeveri të ardhshme të ulemi, të punojmë në pjesën e rrethanave, të cilat paraqiten problematike, që na shqetësojnë dhe të njëjtat të ndryshojnë. Na nevojitet dalje nga kjo situatë pasi që ndodhemi në kushte të krimit dhe korrupsionit të madh, paaftësi, mospasje të reformave dhe zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme, shpërbërjen e Kuvendit, ndërhyrje në Kodin zgjedhor dhe fshirjen e qeverisë teknike dhe zgjedhje në vjeshtë.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Tani edhe kryeministri dhe presidenti Pendarovski mbeten në qëndrimin se ka kohë që opozita të ndryshojë mendje dhe ndryshimet kushtetuese të ndodhin në vjeshtë. Sanja Llukarevska nga LSDM në një intervistë për TV21 është shprehur se deputetët të cilët do të kundërshtojnë ndryshimet nuk ia mendojnë të mirën shtetit.

“Ky është shansi i vetëm që kemi. Konsideroj se pjesa më e madhe e deputetëve në Kuvend shohin perspektivën evropiane si të vërtetën, më të mirën për shtetin dhe qytetarët. Opozita do të duhet me vëmendje të dëgjojë porositë të faktorit ndërkombëtarë se mund të ndahemi nga Shqipëria. Andaj, nga dita e nesërme opozita duhet të flasë me argumente.”, është shprehur Llukarevska.

Presidenti Stevo Pendarovski gjatë fundjavës ka deklaruar se pret bisedime intensive midis pushtetit dhe opozitës që votimi të ndodh në nëntor. Pas debatit në Komisionin kushtetues, kryeparlamentari ka caktuar seancën e parë plenare më 18 gusht ku do të votohej nevoja e ndryshimeve kushtetuese. (Meral Ismaili, TVM2)