Ligji për solidaritet, OEMVP: Jemi kundër, dëmton kompanitë

24.07.2023 18:24

Oda ekonomike e Maqednisë Veri-Perëndimore....

Oda ekonomike e Maqednisë Veri-Perëndimore edhe një herë është shprehur kundër Ligjit për solidaritet që tani më ndodhet në procedurë Kuvendore. Pas takimit të realizuar me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, theksojnë se ky ligj është joproduktiv, dëmton kompanitë të cilat kanë planifikuar që ato mjetë t’i investojnë në vende të reja pune.

Nga VMRO-DPMNE kanë kërkuar që këto pika të hiqen nga rendi i ditës në Kuvend dhe për këto ndryshime ligjore të ketë debat publik.

“Bisedat që biseduam, një ndër to ishte edhe Ligji për solidaritet që duhet të sillet në Kuvendin e RMV-së. Ne si odë ekonomike kemi qenë kundër saj, për arsye se dëmton një pjesë të madhe të kompanive, të anëtarëve tanë, por në përgjithësi të disa kompanive në RMV-së.”, - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Mendi Qura.

VMRO-DPMNE: Publiku nuk do të ketë qasje te këto fonde

“Këtu në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore më thanë se 45 kompani në mënyrë direkte janë prekur. Bëhet fjalë për dhjetëra milion euro, të cilat ishin të parapara për riinvestim dhe vende të reja të punës. Në këtë moment Qeveria vendos t’i marrë këto mjete dhe përmes shpenzimeve të dyshimta pasi që i parasheh t’i vë në llogari ku publiku nuk ka qasje që më pas të mund të përfundojnë në xhepa privat.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Bytyqi: Vendos Kuvendi, me iniciativë edhe Kushtetuesja

Nga Qeveria theksojnë se Ligji për solidaritet tani më ndodhet në procedurë Kuvendore dhe kushdo që e sheh si kontestues, mund të ngritë iniciativë pranë Gjykatës Kushtetuese.

“Ligji është në procedurë parlamentare dhe Qeveria është e pafuqishme kur Ligji është në procedurë parlamentare. I mbetet Kuvendit si organ më i lartë të sjellë Ligjin, ndërsa çdo kontestim është e drejtë demokratike dhe nëse kontestohet në Gjykatën Kushtetuese pranë Gjykatës Kushtetuese dhe do të ketë vendim për atë, sigurisht se Qeveria do ta respektojë.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore theksojnë se nevojitet rritje e pagave në sektorin privat, e cila shkakton largimin e fuqisë punëtore nga vendi. Prej këtu kërkojnë ndihmë nga Qeveria për zgjidhjen e këtij problemi. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)