Shkup, dëmet nga reshjet e shiut

24.07.2023 18:59

Një stuhi e rrëmbyeshme me shi të rëndë...

Një stuhi e rrëmbyeshme me shi të rëndë, erë të fortë dhe bubullima ka goditur dje Shkupin pasditen e të dielës. Reshjet e shiut dhe era e fortë në disa vende të kryeqytetit kanë shkulur edhe pemë, pamje të cilat janë publikuar edhe nga vetë qytetarët nëpër rrjetet sociale. 

Qytetarët të anketuar nga TVM2 thonë se pjesa e tyre ku jetojnë nuk ka pasur dëme të mëdha.

“Jo jo, nuk ka bërë dëme. Jetoj në Gazi Babë, nuk kemi pasur probleme, vetëm në veri të vendit ka pasur pak dëme, atje ca drunj janë rrëzuar dhe disa vetura janë prishur.”, - tha një qytetar.

“Tek unë në Gazi Babë nuk ka bërë dëme. Shoh nëpër internet ka shumë video për reshjet dhe dëmet e shiut, tek unë nuk ka dëme.”, - tha një tjetër qytetar.

“Tek ne jo, ndoshta diku tjetër, nuk e di. Kjo është punë e zotit.”, - u shpreh një qytetar.

Nga Qendra për Menaxhimin me Krizat theksuan se stuhia e rrëmbyeshme ka goditur disa pjesë të lagjeve urbane dhe periferike të qytetit të Shkupit, duke shkaktuar një numër të madh njoftimesh të emergjencave në linjën e thirrjeve 112. Rreth 60 njoftime janë regjistruar, ku shumica prej tyre kanë të bëjnë me rënien e drunjve në lokacione të ndryshme në qytet, duke krijuar pengesa në lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve të transportit.

Gjithashtu, njoftime të tjera kanë lidhje me shtylla të rrjetit elektrik dhe telefonik që janë rënduar nga stuhi e fortë.

“Sipas të dhënave që kemi deri më tani, pasi qytetarët ende paraqiten, për shembull, në Shkup kemi së paku 60 paraqitje në numrin e urgjencës 112 për rrëzimin e shtyllave, pemëve, prishjes se  kabllove të rrymës dhe telefonave. Të gjitha njoftimet nga qendra rajonale për menaxhim me krizën Shkup nga sektori operativ, që do të thotë në QKM i janë përcjellë ekipeve kujdestare të ndërmarrjeve publike, si Ndërmarrja publike Parqe dhe Gjelbërim dhe Qendra dispeçere të EVN-së Maqedoni.”, - theksoi Ilija Bojarovski nga QMK-ja.

Edhe në ditët në vijim do të vazhdojë periudha e motit shumë të nxehtë, ndërsa për shkak të një cikloni, i cili është aktiv nga drejtimi lindor, do të ketë zhvillim të vranësirave të paqëndrueshme me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë, ndërsa në qytet mund të ketë paraqitje të stuhive afatshkurtër me breshër dhe erë të fortë, thonë nga Drejtoria për Çështjet Hidrometeorologjike. (Sedat Selimi, TVM2)