Vardari dhe Voska Sport mund të mos luajnë në ligën e parë
Ekipet që vitin e kaluar siguruan garimin në ligën e parë...

Ekipet që vitin e kaluar siguruan garimin në ligën e parë, Vardari dhe Voska Sport mund sërish të mos luajnë në shoqërinë elitare, nëse deri të mërkurën nuk plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe përfundojnë të gjithë procesin për marrjen e licencës së nevojshme për të luajtur në ligën e parë, sipas normave të mandatuara nga UEFA.
Siç mësohet jozyrtarisht, FFM sërish ua ka shtyrë afatin të dyja skuadrave për të përfunduar procesin e licencimit deri të mërkurën, më 26 korrik, i cili ishte shtyrë disa herë më parë.
Por ky do të jetë afati i fundit i mundshëm, sepse gjithsesi janë tejkaluar të gjithë kufijtë nëse dihet se procesi i licencimit ka nisur në muajin maj, kur ekipet patën mundësinë të plotësonin dokumentacionin.
“Nëse nuk plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e licencës, e që ka pasur diskutime të gjata me të dyja skuadrat se çfarë duhet bërë, atëherë FFM nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të mos u jap licencën për të luajtur në Ligën e Parë sepse janë rregulla të UEFA-s dhe jo tonat”- janë informatat jozyrtare që vijnë nga FFM-ja.
Problemi është shumë më i madh për Vardarin nëse dihet se raportet e plota të auditimit për marrjen e licencës duhet t'i përgatisë pronari i mëparshëm Slobodan Krstevski, i cili tani është drejt largimit prej klubit.
FFM-ja e pret datën 26 korrik, deri në të cilën dy skuadrat pritet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, pas së cilës do të caktohet dita e hedhjes së shortit për orarin për sezonin 2023/24 në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë.
Të gjithë skuadrat e tjera të ligës së parë kanë marr licencën për të luajtur në shoqërinë elitare.
