Djegia e veturës të zëvendëskryeministrit Grubi, Bytyqi: Organet po hetojnë rastin
Organet e ndjekjes janë ato që duhet të hetojnë....

Organet e ndjekjes janë ato që duhet të hetojnë dhe zbardhin rastin për djegien e veturës që pretendohet të jetë e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, teksa nuk deshi të komentojë rastin në fjalë.
“Mendoj se nga Prokuroria Themelore thanë se po e shqyrtojnë rastin, si dhe nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Ata do të duhet të deklarohen për këtë. Unë nuk jam pjesë e Prokurorisë themelore publike, e as pjesë e KShPK-së. Unë përveç asaj që e kam të paraqitur në listën time anketuese, nuk mund të referoj për sjelljet e kolegëve të tjerë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Mickoski: Kryerësit e veprës të sillen para drejtësisë
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thekson se bëhet fjalë për rast kriminel, ku kryerësit e kësaj vepre të përgjigjen para organeve kompetente. Sipas tij, opinioni duhet të dijë nëse ka apo jo pronë të fshehur në këtë rast.
“Të hetohet rasti, kuptohet kryerësit e kësaj vepre të sillen para drejtësisë. Gjithashtu, lidhshmëria e personit që e përmendët me kompaninë që është në pronësi kjo veturë. Presim sa më shpejt kjo çështje të hetohet dhe pastrohet para publikut se pse nuk guxojmë të lëmë një mister të tillë prapa nesh. Jemi politikanë dhe kemi veprimtari publike, opinioni ka të drejtë të dijë nëse me të vërtetë ekziston pronë e fshehtë ose jo.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Demolohet vetura e zëdhënëses së VMRO-së, Miteva: Vepër e kundërshtarëve politik
Ndërkohë, zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, njëherë edhe anëtare e Komitetit Qendror të kësaj partie, Maria Miteva, ka shpërndarë fotografi nga vetura e saj, e cila është demoluar. Miteva thotë se këtë po e bëjnë kundërshtarët politikë.
“Mëngjesi i së hënës për mua dhe familjen time filloi kështu, e gjeta automjetin tim të copëtuar dhe të demoluar. Ata padyshim janë në panik dhe të frikësuar, kështu që filluan të na trembin, sepse e dinë se do të ketë përgjegjësi për të gjitha krimet.”, ka shkruar mes tjerash Miteva. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
