Balla dhe Sveçla: Të shkurtohet pritja e mërgimtarëve në kufi
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla....

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla, e kanë vizituar pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Vërmicë.
Në kohën kur është rritur numri i mërgimtarëve që shfrytëzojnë këtë vendkalim, dy ministrat theksuan nevojën që të gjendet zgjidhje që ata mos të presin në kufi.
“Kemi bërë përllogaritje me drejtuesit më ekspert dhe shqetësimi im është që sa kohë që mërgimtarët bëjnë me orë të tëra udhëtim nga gjithë Evropa dhe jo vetëm për t’u kthyer të gjejnë të gjitha mundësitë që gjatë kthimit tyre në Kosovë përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës, koha të jetë shumë e shkurtër ose të gjejmë modalitetet se si t’i japim zgjidhje, që të pajisen me siguracion që mos ta bëjnë më në pikëkalimin kufitar por ta bëjnë një propozim ka qenë ta bëjnë brenda një kohe të caktuar sapo të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.”, - deklaroi Taulant Balla nga MPB i Shqipërisë.
“Ne e kemi vullnetin më të mirë që mërgatës sonë t’i shërbejmë shpejt me efikasitet dhe po mendojmë disa variante se si të tejkalohen këto vështirësi, biseduam edhe me ekipet tona. Zgjidhje ka, patjetër që ka edhe vullnet të jashtëzakonshëm politik dhe unë besoj se shumë shpejt do të vërehen ndryshimet.”, - theksoi Xhelal Sveçla nga MPB i Kosovës.
Të dy ministrat nuk deshën të komentojnë raportet e dy kryeministrave, atij të Shqipërisë, Edi Rama dhe të Kosovës, Albin Kurti. Ata thanë se duhet t’i zbatojnë marrëveshjet për të cilat janë dakorduar krerët e dy qeverive. (Gyltene Sinani, TVM2)
