Maqedoni
DAP, rriten rrogat e të punësuarve për 30%
25.07.2023 14:13
Rrogat e korrikut, mbi 900 të punësuarit e DAP-it do t’i marrin me rritje për 30%...

Rrogat e korrikut, mbi 900 të punësuarit e DAP-it do t’i marrin me rritje për 30%, ashtu siç kërkuan në protestat e filluara që para një muaji. Kjo marrëveshje u prezantua nga sindikata reprezentative “Solidariteti”, drejtoresha e DAP-it dhe ndërmjetësuesit.
“U nënshkrua marrëveshje kolektive me rezultat reprezentativ, u rregullua e drejta e rritjes së rrogave në bazë ligjore. Marrëveshja parasheh rritjen e rrogave për të punësuarit e DAP-it nga muaji korrik, që do të paguhet brenda disa ditësh dhe do të jetë 30% më e madhe.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës “Solidariteti”, Vase Nedanoski.
Rritjen e rrogave e shoh si motiv shtesë për të dëshmuar më shumë efikasitet si zyrtarë tatimorë, thotë drejtoresha e DAP-it, Llukarevska.
“Ky nen për ne nuk do të thotë vetëm më shumë të drejta, por edhe më shumë obligime për zyrtarët tatimorë, sidomos tani me programin e ri reformues, i cili kërkon më shumë përkushtim dhe angazhim më të madh nga të gjithë që ajo të realizohet.”, - deklaroi drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska.
Ndërmjetësi Ilija Manasiev është i kënaqur se marrëveshja kolektive u arrit të nënshkruhet me anë të ndërmjetësimit, që është shembull edhe jashtë vendit.
“Nga aspekti profesional e kisha sfidë të madhe këtë lëndë, nga aspekti i madhësisë së kontestit, kjo është një nga lëndët më të mëdha të marrëdhënieve të punës i zgjedhur me anë të ndërmjetësimit.”, - theksoi ndërmjetësi, Ilija Manasiev.
Rritja e rrogave nuk do të ketë implikime financiare për buxhetin shtetëror, pasi siç bëri të ditur drejtoresha e DAP-it Llukarevska, kjo mbulohet me mjete të siguruara nga DAP-i. Ajo njëherit bëri të ditur se në bazë të analizave që i ka bërë DAP-i konform bilanceve tatimore, rreth 200 kompani do të duhej të përfshiheshin me tatimin e solidaritetit.
GYLTENE SINANI
