Maqedoni

Blloku opozitar, deputeti i Besës, Bajrami, deklarohet kundër

25.07.2023 14:35

Pas deklarimit të Arjanit Hoxhës se ai distancohet plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturin “bllok opozitar”...

Pas deklarimit të Arjanit Hoxhës se ai distancohet plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturin “bllok opozitar”, mospajtimin e tij e ka shprehur edhe deputeti i kësaj partie, Bastri Bajrami. Ky i fundit në një prononcim me shkrim për televizionin tonë ka pohuar se është pjesë e grupit të të larguarve dhe se së bashku me shumë veprimtarë tjetër, janë në proces të rrumbullaksimit të veprimit, si një formacion politik. 
 
“Është e vërtetë se jemi bashkë me Arjanit Hoxhën dhe shumë bashkëmendimtarë që ndajmë të njëjtin mendim. Për momentin jemi duke u rrumbullaksuar si një formacion politik. Ndërsa, për formën dhe mënyrën e veprimit do t’ju njoftojmë shumë shpejt.”, - deklaroi deputeti, Bastri Bajrami. 
 
Bajrami njëherit thotë se deri më tani nuk kanë ndonjë koordinim për të vepruar në bashkëpunim me ndonjë subjekt tjetër politik. Redaksia jonë kontaktoi edhe me deputetin tjetër të kësaj partie, Fadil Zendeli, i cili thotë se vazhdon të mbetet në Lëvizjen “Besa”, por pa pranuar të japë ndonjë deklaratë.
 
Për këtë formacion politik është shprehur edhe zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili ka pohuar se deri tani nuk kanë biseduar me këta eksponentë politik, por që ia vlen të bisedohet.
 
Sipas Osmanit, BDI-ja ka nisur idenë e frontit evropian, duke vlerësuar se tani është koha për koncentrimin e energjisë evropiane në vend. Zhvillimet në kampin opozitarë shqiptar i ka komentuar kreu i Alternativës, Afrim Gashi. 
 
“Të gjitha tentimet për opstrukcione në bashkim dhe bashkëpunimin e bllokut opozitar po zhvillohen nën dirigjimin e Ahmetit dhe Grubit.”, deklaroi kreu i Alternativës, Afrim Gashi në një prononcim për “Dojçe Vele”. 
 
FITIM KRYEZIU