Maqedoni
Inspektorati i punës në “Higjienën Komunale”, nuk ka bazë për largimet nga puna
25.07.2023 14:57
Pas largimit nga puna të dhjetëra punëtorëve nga ana e ndërmarrjes “Higjiena Komunale”...

Pas largimit nga puna të dhjetëra punëtorëve nga ana e ndërmarrjes “Higjiena Komunale”, inspektorati i punës ka bërë një inspektim pas raportimit të shkarkuarve, i cili ka rezultuar se nuk ka bazë për përjashtimin e tyre dhe kërkojnë që punëtorët e larguar të kthehen menjëherë në vendet e tyre të punës.
Inspektorati shtetëror i punës ka vërtetuar se punëtorët janë larguar nga puna në mënyrë të kundërligjshme, ka bërë të ditur Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e cila nga fillimi e ka gjykuar këtë veprim të drejtoreshës, Kosana Mazneva. Sipas masës inspektuese, ndërmarrja “Higjiena Komunale” në formë të shkruar duhet të sjellë vendim me të cilën duhet t’i anulojë vendimet për ndërprerje të marrëdhënies së punës.
“Presim që bordi drejtues i N.P. “Higjiena Komunale” në seancën që do ta mbajë sot, duke vepruar sipas masës së inspektimit, si dhe në bazë të kundërshtimeve të parashtruara nga punëtorët, të marrë vendim me të cilin do të anulohen vendimet për largim nga puna dhe punëtorët të kthehen menjëherë në vendet e tyre të punës. LSM-ja apelon për dialog mes Sindikatës së punëtorëve të hotelerisë, turizmit, ekonomisë komunale dhe zejtarisë së RMV-së me kryesinë e “Higjienës Komunale”, Shkup.”, - njoftojnë nga Lidhja e Sindikatave.
Largimet nga puna të rreth 30 të punësuarve në “Higjienën Komunale” pasuan pasi drejtoresha Mazneva akuzoi se kompania është mbajtur peng nga siç tha, “strukturat mafioze”, ku për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale nuk ka dashur t’i publikojë emrat e tyre, por ka bërë thirrje që institucionet kompetente të veprojnë më shpejt.
Shkupi për disa ditë ishte në kolaps komunal, për shkak të bllokimit të ndërmarrjes nga një pjesë e punëtorë, të cilët kërkuan dorëheqjen e drejtoreshës, për shkak të largimit nga puna të kolegëve të tyre. Ata në mënyrë shtesë kërkuan rritje të pagave, pagesë të K-15 dhe beneficione në përvojën e punës.
GAZMEND KURTISHI
