Sportet E Tjera
“Paris 2024”, 365 ditë deri në fillimin e Lojërave Olimpike
25.07.2023 15:15
Lojërat Olimpike Paris 2024 po afrohen dalëngadalë, ku nga sot kanë mbetur edhe 365 ditë...

Lojërat Olimpike Paris 2024 po afrohen dalëngadalë, ku nga sot kanë mbetur edhe 365 ditë deri në fillimin e tyre. Kështu Parisi do të organizojë për herë të tretë në historinë e vet Lojërat Olimpike Verore. Si për çudi lojërat në Paris do të zhvillohen pas 100 vitesh që ishin organizuar më parë nga kryeqendra e Francës.
Ceremonia e hapjes për herë të parë do të ketë një koncept dhe vend të hapjes, ashtu që në vend se të zhvillohet në stadium ajo do të bëhet në lumin Sena. Lum që kalon përmes qendrës së Parisit.
“Bota do të mblidhet në Paris pas një viti për një garë paqësore. Të gjithë do të shijojmë kulturën e pasur të Francës dhe mikpritjen e ngrohtë të popullit sportdashës francez. Të gjithë do të frymëzohemi nga vizioni i Themeluesit tonë Pierre de Coubertin në qytetin e tij, qytetin e dritës Paris”, u shpreh presidenti i KON, Thomas Bach.
“Kanë kaluar 100 vjet që kur Lojërat janë organizuar në Francë. Pra, është padyshim shumë e rëndësishme për qytetin e Parisit dhe për Francën që të presë këtë festë të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike. Do të jetë hera e parë që do të kemi një ceremoni hapjeje në Seine. Është gjithashtu vullneti për të hequr sportin nga stadiumet dhe për ta pasur atë vërtet në zemër të qytetit. Do të mbajmë gara rrëzë Kullës Eifel, shtëpisë së invalidëve, në sheshin De la Concorde, në Château de Versailles. Ne me të vërtetë duam të ofrojmë më të mirën, dhe të jenë lojërat të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.”, theksoi presidenti i komitetit organizativ Tony Estanguet.
Kur kemi edhe një vit deri në nisjen e Lojërave Olimpike Verore “Paris 2024”, do theksuar se atletja Luiza Gega, është sportisja e parë shqiptare që është kualifikuar në Lojërat Olimpike Paris 2024. Ajo do të përfaqësojë Shqipërisë në vrapin e 3 mijë metrave. Eventi më i madh sportiv i vitit të ardhshëm ose edicioni i 33-të i lojërave olimpike verore do të zhvillohet prej 26 korrik deri më 11 gusht të vitit 2024.
