Shqipëri, shumë qytetarë nuk mund të bëjnë pushime

25.07.2023 17:08

Shqipëria është cilësuar nga shumë media prestigjioze...

Shqipëria është cilësuar nga shumë media prestigjioze si një ndër destinacionet më të preferuara, por për shqiptarët është “mollë e ndaluar”. Rritja e çmimeve ka bërë që shumë prej tyre të mos kenë mundësi që të pushojnë në bregdet.

“Pushimet do t’i bëj në Kukës, në shtëpi. Nuk kemi mundësi ekonomike. Jam  i papunë. Vetëm liqenin e Kukësit, me raste. Kam pas raste në Durrës, 5 ditore. Trajtohemi me ndihmë ekonomike. Dy herë kam bërë pushime gjatë jetës. Një herë në Tale të Lezhës, njëherë në Durrës.”, - tha një qytetar.

“Ku do pushoj këtë verë? Në asnjë vend. Nuk kemi të ardhura. Kemi pagat e vogla. Nuk kemi lekë. 400 euro mujore paga. Nuk na del, absolutisht. Këtu kam shtëpinë, por punoj në Kosovë. Varfëri e madhe. Jashtë vendit kam dal vetëm për të punuar në të zezë.”, - tha një i ri.

“Ne jemi pensionistë, jo. I kemi pensionet shumë të ulëta. Po shkuam ndonjë ditë rastësisht, në rregull. Jashtë nuk i kapim dot.”, - tha një qytetar tjetër.

Megjithatë, të shumtë janë ata qytetarë që pushimet i kanë rezervuar herët në destinacione, si Turqia dhe Greqia. Operatorët turistikë thonë se prenotimet kanë njohur rritje, pavarësisht çmimeve të larta.

“Kjo është periudha më e kërkuar nga shqiptarët për të pushuar. Janë më shumë pjesa e Antalias dhe Greqisë. Është shtuar dhe Egjipti dhe Sharmelshaik, por përsëri është më tepër Antalia dhe Greqia. Është më e lehtë për ta se janë me guidë.  Kanë më të thjeshtë që të marrin guidë, sepse ajo i shpjegon më lehtë. Vendet on-top, Turqia dhe Greqia. Në Greqi, Lefkada, Korfuz. Në Turqi, Antalia, Bodrum. Më shumë preferohet Greqia se është pak më i lirë. Shqiptarët kanë limit për çmim. Më shumë rezervime ka pasur këtë vit se sa të kaluarin. Janë rritur dhe fluturimet direkte. Shqiptarët preferojnë më shumë jashtë Shqipërisë, pasi duan që të eksplorojnë dhe vende të tjera.”, - tha eksperti i turizmit, Alkeo Kafazi.

As këtë vit nuk kanë munguar edhe ata që duan të eksplorojnë vende më të largëta, siç janë Zanzibari apo Bali. (Luljeta Ndoka, TVM2)