Greqi, vazhdojnë përpjekjet për të kontrolluar zjarret

25.07.2023 17:35

Për të shtatën ditë me radhë, Greqia...

Për të shtatën ditë me radhë, Greqia vazhdon përpjekjet për të kontrolluar zjarret në ishullin Rodos.

Rreth 20.000 njerëz u larguan nga shtëpitë dhe hotelet në Rodos, ditëve të fundit, pasi zjarret që nisën një javë më parë, u përhapën dhe arritën vendpushimet bregdetare në juglindje të ishullit. Qindra turistë që u detyruan të evakuohen, pritet të kthehen në vendet e tyre.

Qindra zjarrfikës, me përforcime nga Turqia dhe Sllovakia, janë duke luftuar me flakët pranë fshatrave Genadi dhe Vati në juglindje të Rodosit.

Zjarret shpërthyen edhe në ishullin e Korfuzit, në pjesën perëndimore të Greqisë, dhe në ishullin Evia, pranë kryeqytetit të Athinës. Greqia përfshihet shpesh nga zjarret, sidomos gjatë verës, por ndryshimet klimatike kanë shkaktuar sivjet valë më ekstreme të të nxehtit në të gjithë Evropën jugore.

Greqia ka shënuar temperatura shumë të larta javëve të fundit dhe ato pritet të mbeten të tilla së paku deri të mërkurën, duke i tejkaluar 44 gradë Celsius në disa zona.