Itali, stuhia në Itali la tre të vdekur

25.07.2023 18:44

Dy gra dhe një 16 vjeçar humbën jetën...

Dy gra dhe një 16 vjeçar humbën jetën pasi stuhitë e forta goditën veriun e Italisë gjatë natës, teksa në jugperëndim të vendit, një zjarr i egër në Sicili detyroi mbylljen e përkohshme të aeroportit të Palermos.

Në kohën kur pjesa më e madhe e Italisë jugore po përballet me një valë të nxehtit, gjatë natës një stuhi goditi Milanon, ku shembi çatitë dhe shkuli qindra pemë, duke bllokuar rrugët, thyer makinat e parkuara dhe duke ndërprerë transportin mbitokësor të qytetit më të madh financiar italian.

"Gjithçka ndodhi rreth orës 4 ose 5 të mëngjesit, ishte shumë e shkurtër, por shumë intensive, rrëzoi disa pemë.", kanë thënë dëshmitarët. 

Dyert e parqeve publike në qytet u mbyllën dhe njerëzve iu ndalua hyrja në zonat e hapura me pemë për arsye sigurie. Në rajone të tjera të Italisë, vala e vazhdueshme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën Jugore ka vazhduar të mbajë kontrollin e saj, duke bërë që 16 qytete italiane të jenë në alarm të kuq të martën, për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta.

Në pjesë të caktuara të Sicilisë lindore, temperaturat arritën në 47.6 Celsius të hënën, duke iu afruar rekordit më të lartë evropian prej 48.8 Celsius të regjistruar në këtë ishull dy vjet më parë.

Aeroporti i Palermos u mbyll përkohësisht të martën kur një zjarr në afërsi e detyroi atë të pezullojë funksionimin. Megjithatë, më vonë në mëngjes, avionët ishin në gjendje të ngriheshin dhe të uleshin përsëri pasi zjarri u vu nën kontroll.