Maqedoni
Kumanovë: Temperaturat e larta shtojnë thirrjet në Ndihmën e shpejtë
26.07.2023 15:07
Temperaturat e larta që kanë kapluar edhe rajonin e Kumanovës...

Temperaturat e larta që kanë kapluar edhe rajonin e Kumanovës, kanë ndikuar në shtimin e thirrjeve për ndihmë mjekësore në repartin e Ndihmës së shpejtë. Në këtë repart, numri i pacientëve që paraqiten për ndihmë mjekësore lëviz deri mbi 30 thirrje brenda 24 orëve.
“Me rritjen e temperaturave në vendin tonë numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë është rritur dukshëm madje deri 30 thirrje në ditë, sidomos pacientë me sëmundje kronike, sëmundje kardiovaskulare, celebrare vaskulare, diabet, si dhe shumë sëmundje të tjera, por probleme hasim edhe tek personat në moshë të shtyrë apo tek më të vjetrit. Edhe pse kemi raste të shumta ne me angazhimin tonë mendojmë dhe mundohemi të arrijmë me kohë për t’u ofruar ndihmën e nevojshme qytetarëve.”, - theksoi mjeku në Ndihmën e shpejtë, Kumanovë, dr. Blend Aliu.
Dr. Blend Aliu u apelon të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe t’i shmangin daljet në këto ditë të nxehta, sidomos nga ora 10 e deri në ora 17, e ata që marrin terapi t’i marrin rregullisht, si dhe të konsumohen sa më tepër lëngje dhe të shmangen ushqimet e rënda dhe me yndyrë.
“Apeloj deri tek të gjithë që prej ora 10 deri ora 17, për shkak se atëherë është ekspozimi më i madh në rrezet e diellit dhe rrezet UV, të cilat mund t’u sjellin probleme shëndetësore, pra mos të dalin por të rrinë në ambiente të freskëta dhe të konsumojnë lëngje, posaçërisht ujë, si dhe të vishen me rroba më të holla.”, - u shpreh mjeku në Ndihmën e shpejtë, Kumanovë, dr. Blend Aliu.
Nga Ndihma e Shpejtë në Kumanovë, gjithashtu na njoftuan se përpos intervenimeve në qytet, të njëjtit është dashur të ofrojnë ndihmë edhe qytetarëve të cilët në këto ditë të nxehta përvëluese po frekuentojnë vendkalimin kufitar Tabanoc, e si pasojë e pritjeve të gjata, po vjen deri te përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të udhëtarëve.
FATLUM AQIFI
