Maqedoni
Shkup, 60 vite pas tërmetit katastrofal
26.07.2023 16:29
Më 26 korrik të vitit 1963 në ora 5 e 17 minuta, Shkupin e tronditi tërmeti katastrofal...

Më 26 korrik të vitit 1963 në ora 5 e 17 minuta, Shkupin e tronditi tërmeti katastrofal prej 6.1 ballë. Mbi 1.070 njerëz humbën jetën dhe rreth 4.000 të tjerë u plagosën. Rreth 80% e qytetit u shkatërrua, ndërsa mbi 200.000 njerëz mbetën pa kulm mbi kokë. Pas kësaj tragjedie e gjithë bota u solidarizua për të rindërtuar Shkupin dhe për të ndihmuar familjen e viktimave.
Qytetarët së bashku më pjesëtarët e ushtrisë, policisë dhe pjesëtarë të mbrojtjes civile të asaj kohe ndërmorën masa urgjente për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat. U ngritën qendra për dhënien e ndihmës së parë, gjithashtu nga e gjithë bota ndihmuan me ekipe shpëtimi, tenda për strehim, ushqim, batanije, ilaçe, dhurim gjaku, mjete higjienike e gjësende të tjera të nevojshme. Të gjitha lagjet u pajisën me tenda për çdo familje që i kishte shtëpitë e rrënuara.
“Në fillim ka mbërritur Kryqi i Kuq i Greqisë me ndihma të mëdha humanitare, sidomos me sasi të madhe të fashave për të plagosurit. Menjëherë pas tyre ka ardhur Kryqi i Kuq i Norvegjisë dhe ai danez. Pas tyre ka ardhur Kryqi i Kuq i Gjermanisë, me kuzhina të lëvizshme, të cilat janë vendosur në parkun e qytetit dhe aty një pjesë e madhe e qytetarëve tanë, të cilët i kanë humbur shtëpitë dhe kanë qenë të vendosur nëpër tendat e lagjeve, disa javë radhazi i kanë shfrytëzuar shërbimet e asaj kuzhine.”, - deklaroi Suzana Tuneva Paunovska nga Kryqi i Kuq-Shkup.
Shumë ndërtesa që u shkatërruan ishin ndërtuar pa asnjë standard, të papërshtatshme sizmikisht. Një pjesë e ekspertëve thonë se gjatë rindërtimit, zhvillimi urban i qytetit dështoi, nëse Shkupi u shkatërrua nga tërmeti në 63-shin, pësoi pasoja edhe më të rënda në tërmetin e tranzicionit gjatë të nëntëdhjetave, tha dekani i Ndërtimtarisë, Goran Markovski. Në urbanizëm, gabimet paguhen shtrenjtë. Autoritetet e qytetit nuk arritën t’i rezistojnë kapitalit privat dhe për këtë arsye i vuajmë pasojat, tha Markov.
“Të përpiqemi të rregullojmë diçka që t’u lëmë gjeneratave të ardhshme ndonjë shansë më të madhe për të ardhmen, që ata të mund t’i përmirësojnë punët. Ditë pas dite po humbasim betejë pas beteje, në fund frikësohem që do të humbë e gjithë lufta mes kësaj rritjeje, të ashtuquajtur urbanizëm. Dhe ajo që duhet të jetë një e mirë publike, për të mirën e banorëve të Shkupit. Kemi shumë raste të ngjashme, ja p.sh. do të përmend Treskën, është një betejë bashkëkohore që fillojmë ta humbim.”, - theksoi dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë-Shkup, Goran Markovski.
Delegacione të shumta vendosën lule në përmendoren e viktimave të tërmetit. Programe kulturore dhe muzikore janë mbajtur në përkujtim të kësaj ditë në shumë pjesë të qytetit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
