Maqedoni
Kuvend, shënohen 60 vite nga tërmeti në Shkup
26.07.2023 15:52
Kuvendi shënoi 60 vjetorin e tërmetit katastrofal në Shkup...

Në një seancë të posaçme kushtuar kësaj ngjarje që tronditi kryeqytetin, kryeparlamentari Talat Xhaferi theksoi rëndësinë e shënimit të kësaj dite, sipas të cilit duhet të na kujtojë bashkimin e gjitha forcave për të ndihmuar personat në nevojë.
“Është aktivizuar solidariteti ndërkombëtar dhe mbi të gjitha njerëzia dhe vetëdija dhe ndërgjegjja njerëzore. Më nuk ka qenë me rëndësi se kush, cilit komb i takon, cilën ideologji politike ndjekë dhe cilit zot i drejtohet apo i lutet. Nuk ka qenë me rëndësi as ajo se nëse dhënia e ndihmës do të jetë në interes apo jo të shtetit konkret.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski porositi që ngjarjet e trishta të 26 korrikut të vitit 1963 të shërbejnë si motiv dhe shembull në ndërtimin e shoqërisë mbi vlera të unitetit dhe solidaritetit.
“Tërmeti katastrofal në Shkup, i vulosur në të kaluarën tonë, për ne është mësim dhe porosi të vazhdojmë bashkë dhe të ndërtojmë shoqërinë tonë mbi themelet e solidaritetit, sakrificës dhe unitetit, të ndërtojmë shoqëri të bazuar në vlera demokratike, në kujdes ndaj tjetrit, empati dhe humanitet, vlera të cilat do t’i bartim edhe në gjeneratat e ardhshme. Uniteti, respekti ndaj të tjerëve dhe zgjatja e dorës gjithkund dhe gjithkujt të bëhen motivi ynë si në planin personal, ashtu edhe në atë profesional.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Sipas kryeministrit, në kohën kur Shkupi kishte nevojë për dorën e zgjatur të botës, tanimë është në gjendje të ofrojë ndihmë, sikurse në Turqi dhe Siri pas dridhjeve të fuqishme të tokës, duke mos harruar dhe Shqipërinë me ndihma financiare për të sanuar dëmet që la pas vetes tërmeti.
MERAL ISMAILI
