Obama: vrasja e Nemtsovit reflekton klimën kërcënuese
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se vrasja e kundërshtarit të Kremlinit, Boris Nemtsov, reflekton klimën “brenda Rusisë...

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se vrasja e kundërshtarit të Kremlinit, Boris Nemtsov, reflekton klimën “brenda Rusisë, në të cilën shoqëria civile, gazetarët e pavarur, njerëzit që bëjnë përpjekje të komunikojnë në internet, ndjehen çdo herë e më shumë të kërcënuar”.
Obama ka bërë këtë deklaratë në kuadër të intervistës me “Reuters”, tre ditë pas vrasjes së Nemtsovit në një urë pak metra larg Kremlinit. I pyetur nëse ai beson që qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin, është e përfshirë në këtë vrasje, Obama ka thënë se “nuk e ka idenë në këtë moment se çfarë ka ndodhur”.
Ai ka shtuar se “ajo që e di është se liria e medias, liria e protestës, liria e informacionit, të drejtat themelore civile dhe liritë brenda Rusisë janë në një gjendje shumë më të keqe se sa kanë qenë para katër-pesë apo dhjetë vjetësh”.
Obama ka thënë se çdo herë e më shumë të vetmet informacione që publiku rus mund t’i marrë janë ato që jepen përmes mediave të kontrolluara nga shteti.
