Xhaferi: Votimi për ndryshimet kushtetuese mund të shtyhet, nëse nuk ka shumicë

27.07.2023 14:10

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi..

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, bëri të ditur se seanca plenare për ndryshimet kushtetuese është caktuar më 18 gusht, e cila mund të zgjasë më së shumti  dhjetë ditë pune.

Sipas tij, votimi për ndryshimet kushtetuese mund të shtyhet, nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme prej 80 votash, sepse akti i votimit nuk është i lidhur me ditën e fundit të debatit. Kuvendi vendos nëse ka shumicën e nevojshme për vendimmarrje konkrete,  andaj  nuk mund të predikohet mënyra se a do të ndodhë votimi në fund të debatit apo do të jetë e prolonguar akti i votimit, potencoi kryeparlamentari, Xhaferi. 

“Janë çështje që varen nga situatat konkrete në rrjedhën e seancës. Nuk është pengesë që të prolongohet afati i votimit për faktin që rregullorja e parasheh mundësinë e prolongimit dhe në rastin konkret për çështjet e ndryshimeve kushtetuese paraprakisht ka ndodhur që ai moment të mund të prolongohet, kështu që nuk ka kuurfarë pengese në atë  drejtim.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.

Në pyetjen se a mund të ndodh që heqja e përkufizimit 20 për qind për gjuhën shqipe të bëhet pjesë e ndryshimeve kushtetuese, Xhaferi me përgjigje se kjo varet nga vendimi që do të miratohet, nëse miratohet  nga debati në seancën plenare.

“Sa i përket përmbajtjes së nismës për ndryshime kushtetuese është çështje, e cila varet nga vendimi përfundimtar në seancë dhe nga teksti përfundimatr i vendimit do të varet i gjithë veprimi i propozuesit për miratimin e draft amendamenteve me të cilat do të duhet të rikthehet në Parlament.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Xhaferi po ashtu bëri të ditur se mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese nuk është parakusht për mbajtjen  e zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhje të parakohshme mund të ketë, nëse parashtrohet propozim-vendim për shpërbërje të Kuvendit dhe siç e parasheh Kushtetuta në afat prej 60 ditësh nga ky vendim do të organizoheshin zgjedhjet, potencoi Xhaferi. (Flutura Latifi, TVM2)